Foto: Kallxo.com

Shtyhet Sërish Gjykimi i Shënjestruar për Liberalizimin e Vizave

Një seancë e planifikuar të mbahej në Gjykatën e Mitrovicës një rast gjyqësor për krim të organizuar, i vënë në listën e rasteve nga të cilët kushtëzohet liberalizimi i vizave, është shtyrë për shkak se mungoi njëri nga të akuzuarit.

Pas paraqitjes së palëve në gjykatë, mbrojtësi i të akuzuarit Shkëlqim Jusaj, avokati Arnis Dumani njoftoi gjykatën se i mbrojturi i tij nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Dumani për të pandehurin tha se ai ishte shtrirë më 11 prill në spitalin e Pejës dhe se ishte duke u trajtuar atje. Avokati i dorëzoi trupit gjykues një raport të spitalit në Pejë kurse deklaroi se dokumentacionin tjetër shtesë do ta dorëzojë të hënën.

Në gjykatë ishin prezent prokurori Abdurrahim Islami, të pandehurit tjerë, mbrojtësit e tyre si dhe dy ekspertët Xhevdet Krasniqi e Shaban Bahtiri.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues gjyqtari Beqir Halili vendosi që seancën e sotme ta shtyjë për 25 prill.

Halili po ashtu njoftoi të gjithë të akuzuarit të cilët ishin prezentë që nëse në seancën e ardhshme nuk vijnë në gjykatë, ndaj tyre do të lëshohet urdhër arrest dhe do të ndërmerren proceduara ligjore për sigurimin e prezencës së tyre në seancë.

Kurse për të akuzuarin Shkëlqim Jusaj, gjykatësi Halili tha se nëse të hënën nuk do ta dërgojë dokumentacionin që është i shtrirë në spital, ndaj tij do të lëshohet urdhër arrest.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin së bashku me të pandehurit Milan Radisavleviq dhe Aleksander Rakiçeviq se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara, si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit të tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale: Kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

Para dy javësh, BIRN/Internews Kosova publikuan raportin rreth gjendjes aktuale të 39 rasteve gjyqësore që janë vënë kusht për liberalizimin e vizave. Raportimet për këtë raport mund t’i lexoni në këtë link.