Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për posedimin e nje thikeje/FOTO KALLXO

Shtyhet seanca për posedim të thikës, i akuzuari pretendon se ka paguar dënimin

I akuzuari për posedim të një thikeje është paraqitur sot në gjykatë për t`u përballur me akuzat e prokurorisë.

Erxhan Berisha po akuzohet për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi që nga ana e policisë në vitin 2013 i ishte gjetur një thikë.

Por, sot qysh në fillim të seancës, i akuzuari Berisha deklaroi se për të njëjtin rast edhe ka paguar dënim më herët.

“Me letër më ka ardhur tek shtëpia, ka ardhur Njësia Speciale dhe e kam marrë dënimin prej 150 euro ku edhe e kam paguar tek Muzeu, nëse nuk gaboj ka qenë para dy viteve. Vendimin e kam në shtëpi”, deklaroi i akuzuari.

Meqë i akuzuari pretendonte se për këtë çështje penale është gjykuar më parë, seanca e sotme është ndërprerë dhe e njëjta pritet të vazhdojë të nesërmen.

Gjykatësi i çështjes, Naser Foniqi, bëri të ditur se i akuzuari detyrohet që të sjellë vendimin e Gjykatës të cilin pretendon se e ka në shtëpi.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe M.S., për të cilin edhe u veçua procedura për hir të ekonomizimit dhe efikasitetit meqë i njëjti nuk u paraqit në seancë.

Në seancë u bë e ditur se Policia e Kosovës e ka kërkuar të njëjtin në shtëpinë e tij, por, në bisedë me fqinjët e tij, ata i kanë thënë se familja e Muhametit e kanë shitur shtëpinë dhe të gjithë kanë dalë jashtë Kosovës.

Seferi ngarkohet me veprën penale shitja, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Berisha më 11 gusht të vitit 2013, rreth orës 00:02 minuta, në vendin publik në Prishtinë tek rruga Lidhja e Prizrenit, ka mbajtur në posedim në mënyrë të paautorizuar një thikë ngjyrë të bardhë.

Sipas aktakuzës, kjo thikë është konfiskuar nga ana e policisë.