SEANCA - RASTI TOKA 29.06.2018

Shtyhet seanca në rastin 'Toka' ku i akuzuar është Azem Syla

Seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Toka” ku i akuzuar është ish-deputeti i PDK-së Azem Syla dhe të tjerët është shtyrë, kjo pasi sipas kryetarit të trupit gjykues Beqir Kalludra nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e saj. Seanca është shtyrë për datën 12 korrik.

Gjyqtari Beqir Kalludra, me fillimin e seancës konstatoi prezencën dhe mos mos-prezencën e të akuzuarve. Prezent në sallë ishte edhe prokurori i Prokurorisë Speciale Abdulrrahim Islami.

“Me qenë se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës, trupi gjykues merr vendim se shqyrtimi i sotëm i kësaj seance të shtyhet. Seanca tjetër do të mbahet me 12 korrik në orën 13:00”, tha kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra.

Që në fillim, avokati i të akuzuarit Azem Syla, Besnik Berisha th ase klienti i tij është rrugës duke ardhur në Gjykatë.

“Azem Syla është rrugës tu ardh se ka shku policia me e marrë”, tha avokati Berisha.

Gjyqtari Kalludra tregoi se për të akuzuarin Azem Syla Gjykata ka lëshuar urdhër përcjellje.

“Azem Syla mungon për të cilin gjykata kë lëshuar urdhër përcjellje nga policia, i njëjti është në ardhje e sipër për në gjykatë”, tha Kalludra.

Sipas gjyqtarit Beqir Kalludra, i akuzuari Shaban Syla, mungon dhe se gjykata ka prova se ai është ftuar.

“I akuzuari Shaban Syla, mungon, gjykata ka prova se ai është ftuar dhe është konfirmuar ardhja e tij nga familjarët, i njëjti gjendjet në vuajtje të dënimit për vepra të tjera penale dhe mbrojtja e tij është avokatja Adelina Shabani”, konstatoi gjyqtari Kalludra.

Ndërsa, i akuzuari Shpresim Uka dhe Fahredin Gashi ishin prezent në gjykatore.

I akuzuari tjetër Ilaz Syla, nuk ishte prezent në sallë, i njëjti ndodhet në arrati.

“Ilaz Syla mungon, kundër të njëjtit është caktuar masa e paraburgimit, dhe nga koha e aktvendimit edhe pse gjykata ka lëshu fletarrest ndaj të njëjtit, ai gjendet në arrati ndërsa mbrojtësi i tij është në sallë”, tha Kalludra.

Avokati i Azem Sylës, Besnik Berisha pas shtyrjes së seancës deklaroi se zvarritja e procesit gjyqësorë fillimisht ishte bërë nga EULEX-i.

“Nisja, zvarritja është bërë prej EULEX-it ku në fund u tërhoq në mënyrë taktike. Nuk ka ndryshuar asgjë në aktakuzën e Azem Sylës,  EULEX-i ka pretenduar se ky është dashtë të jetë personi që i ka ndihmuar të tjerëve për tjetërsim pronash”, tha Berisha.

Siç raportoi një ditë më parë KALLXO.com, për më shumë se katër muaj qëkur EULEX-i njoftoi se do ta transferoj lëndën tek gjyqtarët vendorë,  pritej që sot e premte 29 qershor të rifillonte procesi gjyqësorë ndaj Azem Sylës dhe të akuzuare tjerë.

Më 20 shkurt të këtij viti, kryetari i trupit gjykues i EULEX-it Petko Petkov, njoftoi se kjo lëndë është transferuar tek gjyqtarët vendorë.

Një vendim të tillë prokurori i EULEX-it që përfaqësonte këtë lëndë e pati quajtur “përfundim i rastit”.

Pak kohë pasi rasti u transferua tek vendorët, gjyqtari vendor e liroi nga masa e paraburgimit Azem Sylën, ndërsa këtë vendim e ndryshoi Gjykata e Apelit duke i vendosur masën e arrestit shtëpiak.

Saktësisht më 12 mars të këtij viti KALLXO.com raportoi se Azem Sylës i ishte ndërprerë paraburgimi.

Ndërsa javë më pas, Gjykata e Apelit, ia ndryshoi vendimin e Themelores duke e kthyer në arrest shtëpiak.

Në lidhje me këtë rast në fazën e hetimeve janë mbajtur afër 20 seanca gjyqësore, janë dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur, ndërsa si rrjedhojë e ndryshimit të trupit gjykues, ky rast rrezikon të rikthehet që në fillim dhe rrjedhimisht dëshmitarët duhet të dëgjohen përsëri.

Në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016  ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve.

Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.