Foto-ilustrim

Shtyhet Seanca në Rastin e Padisë Ndaj RTK-së dhe AKP-së

Për shkak se munguan përfaqësuesit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) është shtyrë seanca gjyqësore në rastin e Radio Televizionit të Prishtinës (RTP).

Pasi konstatoi mungesën e përfaqësuesve të RTK-së ndaj të cilëve është drejtuar padia e përfaqësuesit ligjor të RTP-së, gjyqtari i rastit, Ylber Shurdhiqi, vendosi që seanca e ardhshme të mbahet më 15 nëntor.

Në këtë rast RTP ka ushtruar padi ndaj RTK-së dhe Agjencisë Kosovar të Privatizimit për uzurpim të pronës dhe shkelje të të drejtave të punonjësve të RTP-së.

Avokati i palës paditëse tha para gjykatës se rasti i RTP-së është që nga viti 2001 dhe se vendimi i mëhershëm i Gjykatës ka qenë në favorin e tyre.

“Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur më 26 prill 2001. Është vërtetuar se paditësi (RTP) është pronar”, tha avokati Alexander Borg Olivier para Gjykatës.

Ndërkaq përfaqësuesi i AKP tha se nuk ka asgjë për të deklaruar përveç deklarimeve të seancës paraprake.