Gjykimi i zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Seanca në Gjykimin e ish-Zyrtarëve të Akreditimit

Mungesat e të dëmtuarit Suad Berisha dhe përfaqësuesit të tij ligjor u bënë shkak që seanca e radhës e planifikuar të mbahet në vazhdimin e gjykimit për të akuzuarit Armend Muja, Basri Muja e Ferdije Zhushi të mos mbahej dhe e njëjta të shtyhej për një datë tjetër.

Me fillim të kësaj seance gjyqësore kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimi deklaroi se nuk ka kushte për mbajtje të seancës.

Ajo tha se palët e dëmtuara, Suad Berisha e as përfaqësuesi i tij ligjor avokati Korab Rexhepi nuk janë të pranishëm dhe të njëjtit nuk e kanë arsyetuar mungesën përkundër që kanë qenë të njoftuar me kohë për mbajtjen e seancës.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit të kaluar, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.

Seanca që nuk u mbajt sot u shty në qershor. Në seancën e qershorit do të dëshmojnë Suad e Sadat Berisha.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor. Shkrimet e tilla mund t’i lexoni këtu.