Shtyhet seanca ndaj të akuzuares Edita Dula, prokuroria propozon të dëgjohet dëshmitarja

Seanca gjyqësore ndaj drejtoreshës së Organizatës Joqeveritare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, Edita Dulës, është shtyer sërish.

Dula po akuzohet nga Prokuroria  për veprat penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorim i fondeve.

Arsye e shtyrje së seancës ishte se prokurori Rafet Halimi propozoi të dëgjohet dëshmitarja Donika Jaka – Spahiu.

E akuzuara Edita Dula e pyetur nga ana e gjykatëses Naime Jashanica lidhur me fajësinë ajo deklaroi se ndjehet e pafajshme.

“Nuk e ndjej vetën fajtore. Ndjehem e pafajshme”, deklaroi Dula.

Avokati i të akuzuarës Asdren Hoxha tha se mbetet në tërësi pranë opinionit të mbrojtjes që e kanë dhënë në kundërshtim të prokurorisë si dhe një sërë provash materiale të ofruara nga mbrojtja.

“Në fund të këtij procesi gjyqësor mbi bazën e atyre do të vërtetohet se Edita Dula është e pafajshme për pikën 2 të dispozitivit të aktakuzës nga ana e prokurorisë së shtetit. Prokuroria bazohet vetëm në hipoteza dhe dëshmitarë që dyshojnë. Ndërsa në të kundërtën mbrojta ka ofruar prova me procesverbal zyrtare qe argumentojnë lëvizjen e parave me emër mbiemër, që do të dëshmojnë në këtë proces gjyqësor, sepse ato të holla nuk i ka përvetësuar Edita Dula”, tha avokati Hoxha.

Prokurori i shtetit Rafet Halimi propozoi që të dëgjohen dëshmitaret,  dëshmitë e të cilëve tha se i konsideron si dëshmi të drejtpërdrejta, sepse secili nga dëshmitarët ka punuar në këtë organizatë në pozita të ndryshme, ku  do të dëshmojnë se e akuzuara i ka shpenzuar këto para dhe nuk ka dhënë asnjë arsye apo llogari duke i keqpërdor këto të holla. Po ashtu do të administroj provat se si është themeluar kjo organizatë, pasqyra e tatimit, pagesat, gjendja e gjirollogarisë bankare si dhe të gjitha hyrjet daljet nga banka BKT.

Në seancën e sotme dëshminë e saj e dha dëshmitarja e ftuar nga Prokuroria, Brikena Inderberger.

“Në OJQ kam filluar të punoj  në mars të vitit 2017 si punëtore vullnetare ‘Nëna dhe fëmijë të lumtur’,  kam ndihmuar Editën në bartjen e fëmijëve, ngritjen e fondeve si dhe punë tjera vullnetare”, tha ajo.

“Për këtë shoqatë kam pasur informata vetëm përmes rrjetit social Facebook ku kom kontaktu me Editën dhe jemi takuar duke ma shpjeguar dhe unë kam shprehur vullnetin me punu në këtë organizatë. Kam punuar nga prilli 2017 deri në momentin kur më kan thirrur nga stacioni policor për krime ekonomike dhe e kam ndërprerë”, tha dëshmitarja.

Brikena Inderberger, theksoi se angazhimin e ka ndërprerë pasi i lindi dyshimi  për keqpërdorim të mjeteve në llogarinë bankare nga ana e drejtoreshës të kësaj organizate.

Sipas aktakuzës, Edita Dula, gjatë viteve 2016-2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në vazhdimësi ka përvetësuar paratë që i janë besuar, konkretisht, dyshohet se ka përvetësuar  1.488.90 euro, të kësaj organizate.

Sipas Prokurorisë, nga shuma e përgjithshme, dyshohet se Dula, 1.088.90 i ka përvetësuar, duke i tërhequr nga llogaria bankare e OJQ-së, ndërsa shumën prej 400 eurosh, i ka përvetësuar nga shuma që kanë dhënë njerëzit e vullnetit të mirë, që i kishin dhënë për personat në nevojë, në emër të festës së “Fitër Bajramit”.

Përveç veprës penale të përvetësimit në detyrë, ajo akuzohet nga prokuroria edhe për veprën penale të “keqpërdorimit të besimit”, pasi siç pretendon Prokuroria, Dula, gjatë viteve 2016-2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, ka vepruar në kundërshtim me statutin e datës 7 korrik 2017, në atë mënyrë që gjësendet që janë dhuruar për njerëzit në nevojë, të njëjtat i ka përvetësuar për vete.

Në seancë të pranishëm ishin kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica dhe anëtarët e panelit Gjykatës Vesele Ismaili dhe Gjykatësja Suzana Çerkini, po ashtu prokurori i shtetit Rafet Halimi si dhe e akuzuara Edita Dula  dhe mbrojtësi i saj Avokat Asdren Hoxha. Po ashtu në sallë ishin të pranishme dëshmitaret Brikena Inderberg, Luljeta Luljeta Sadiku dhe Donika Jaka – Spahiu.