Shtyhet Seanca e Shpërthimit Që Mori Dy Jetë

Shpërthimi  i një bombole gazi që ndodhi 8 vite më parë dhe si pasojë e të cilit humbën jetën 2 persona dhe u lënduan tre të tjerë ende nuk ka marrë epilogun në gjykatë.

Seanca  cila ishte paraparë të mbahej sot u shty, pasi që mungoi i dëshmitari, Naser Dragusha i cili është i dëmtuar në këtë rast.

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti tha se nuk ka asnjë shkresë që tregon se ky dëshmitar ishte dëgjuar më parë në prokurori.

Lidhur me këtë çështje avokati Ramë Gashi i të akuzuarit, Muhamet Prapashticës, tha se sigurimi i dëshmitarëve është punë e prokurorisë.

Ndërsa prokurorja e rastit Ferdane Sylejmani duke parë mungesën e dëshmitarit tha se nuk dëshiron të vazhdohet pa u dëgjuar ky dëshmitar.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, një bombolë gazi e cila shpërtheu më 15 mars 2008 në Prishtinë gjatë furnizimit të pompës së derivateve të kompanisë “M-Gas Petrol” nga një autocisternë e firmës “P Gas”, duke shkaktuar vdekjen e Bekim Muharremit dhe Ismajl Sadikut dhe lëndimet e Naser Dragushës, Meriton Demirit dhe Abbade Ayleë-it.

Lidhur me këtë shpërthim, Muhamet Prapashtica pronar i “M Gas Petrol” dhe Besnik Sadiku pronar i “P-Gas”, po akuzohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ndërsa Faton Canolli akuzohet se pa kontratë punë ka ushtruar veprimtarinë e shitjes së gazit si shofer.

Lidhur me këtë shpërthim, akuzohen edhe Ahmet Frangu si kryeinspektor dhe Nafije Osmani si inspektore tregu. Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare duke lejuar kompanitë e sipërpërmendura të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa leje.

Të pandehurit Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani akuzohen se kanë kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit.

Sipas aktakuzës, Frangu në cilësinë e shefit të Inspeksionit të Tregut në Komunën e Prishtinës ka shpërdoruar detyrën duke ia mundësuar firmës  “ M Gas  Petrol “ të përfitojë dobi pasurore me lejimin të  ushtrojë veprimtarinë e saj pa leje valide.

Për arsye të njëjta akuzohet edhe Nafije Osmani e cila në cilësinë e inspektores të tregut në Fushë-Kosovë duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ka lejuar kompaninë “ P Gas “  të përfitojë pasuri në mënyrë të kundërligjshme duke ushtruar  veprimtarinë e saj pa leje valide.