Shtyhet Prapë Seanca e të Akuzuarit për Sulm Ndaj Milot Hasimes

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte paraparë të mbahej seanca gjyqësore ndaj Sovran Sylës, të akuzuarit për sulmin me thikë ndaj gazetarit Milot Hasimja.

Syla akuzohet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Seanca gjyqësore nuk u mbajt për shkak të mungesës së kryetares së trupit gjykues. Sipas asistentes së saj kryetarja gjendet në pushim të paplanifikuar ngase ka një familjari të sëmurë.

Seanca e këtij gjykimi ishte shtyrë edhe më 28 janar të këtij viti.

Gazetari i “Klan Kosovës”, Milot Hasimja, ishte therur me thikë më 27 tetor 2014 në lokalet e këtij televizioni atëherë në Qendrën Tregtare në Lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com përshkruhet mënyra se si Syla sulmoi Milot Hasimen.

“Pa paralajmërim futet në zyrën e të dëmtuarit dhe e godet me thikë tri herë në kokë dhe një herë në qafë, derisa kanë ndërhyrë kolegët e punës së të dëmtuarit. Me këtë ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë,” thuhej në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, sulmi ka ndodhur për shkak se i akuzuari Sovran Syla ka kërkuar nga i dëmtuari që të hiqet nga youtube një storie filmike e realizuar në vitet 2010-2011.

Sulmin e pati dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me shqetësim ka marrë lajmin për therjen me thikë të gazetarit të Klan Kosovës, Milot Hasimja, derisa ishte duke kryer punën në vendin e tij të punës. AGK-ja dënon ashpër sulmet e tilla dhe fton organet kompetente që të ndërmarrin masa urgjente ndaj sulmuesit,” thuhej në reagimin e AGK-së.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë kishte reaguar në lidhje me këtë sulm..

“KMDLNj-ja konstaton se nuk është ky sulmi i parë ndaj gazetarëve dhe se sulmet ndaj tyre, sidomos kohëve të fundit janë përshkallëzuar që nga kërcënimi verbal, sulmi fizik, pengimi gjatë kryerjes së punës deri te rrezikimi i jetës siç ishte rasti i fundi i sulmit ndaj gazetarit të Klan Kosovës, Milot Hasimja”, mbronte gazetarët KMDLNj-ja.

Gazetarë të medieve në Kosovë  pas therjes së kolegut të tyre ishin mbledhur  me datën 28 tetor për të protestuar ndaj sulmeve në rritje që po u bëhen punonjësve medialë.

Seanca e radhës sipas asistentes së gjyqtares është caktuar të mbahet me datën 4 nëntor 2015.