Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla - Foto: Facebook

Shtyhet Përsëri Hetimi Special për Azem Sylën

Lajmin për shtyrjen e seancave në rastin ku të dyshuar janë 52 persona e konfirmoi për KALLXO.com Tahir Rrecaj, avokati i Nuhi Ukës.

Tahir Rrecaj tha se seanca të mundësisë së veçantë hetuese në rastin e Sylës dhe të tjerëve nuk do të ketë deri më 6 korrik, për shkak se sipas tij ende nuk ka hyrë në fuqi mandati i ri i EULEX-it.

Qeveria ia vazhdoi mandatin misionit evropian para një jave.

Po për shkak të mospasjes së mandatit të EULEX-it u shtynë edhe seancat e kësaj jave të këtij hetimi.

Një seancë tjetër e mundësisë së veçantë hetuese në gjykimin për tjetërsim pronash nuk u mbajt as më 15 qershor, kur EULEX-it i kaloi mandati.

http://kallxo.com/eulex-mban-sot-seancen-e-azem-syles/

Seancat e mundësisë së veçantë hetuese ishin caktuar pas kërkesës së prokurorit të rastit Danilo Cecarrelli.

Në seancat e mundësisë së veçantë hetuese, një panel prej 3 hetuesish mund të marrin në pyetje dëshmitarë që mund të ndodhë të mos jenë të pranishëm në procesin e mundshëm gjyqësor dhe dëshmia e dhënë në këto seanca konsiderohet pastaj si e dhënë në seancat gjyqësore.

Këto seanca janë të mbyllura, ngase 52 të dyshuarit ende janë vetëm nën hetim.

http://kallxo.com/mbyllur-hetimi-special-per-azem-sylen/

Më 9 qershor kur EULEX-i kishte ende mandat, një seancë e mundësisë së veçantë hetuese u shty, ngase as salla më e madhe e Pallatit të Drejtësisë nuk i zuri të dyshuarit, avokatët e tyre dhe gardianët e të paraburgosurve.

http://kallxo.com/edhe-sot-e-mbyllur-seanca-e-azem-syles/

Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla, Lubisha Vujoviq ishin arrestuar në fund të prillit të këtij viti pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Në atë aksion u kërkua, por nuk u gjet edhe ish-deputeti Azem Syla, i cili u dorëzua në polici dy ditë më vonë.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit kanë tjetërsuar prona shtetërore në mënyrë joligjore në regjionin e Llapnasellës, për çka të gjithë të dyshuarit janë deklaruar të pafajshëm.