Naim Bazaj e Sejdi Hoxha, kandidatë për kryetarë të PDK-së në Drenas

Shtyhet kuvendi zgjedhor në Drenas, Naim Bazaj pretendon se po bëhet për ‘pazare politike’

Dega e Partisë Demokratike në Drenas duket se ka hasur në vështirësi për mbajtjen e Kuvendit zgjedhor.

KALLXO.com ka mësuar se janë anuluar zgjedhjet në degën e PDK-së në Drenas dhe se ka pasur mosmarrëveshje mes pretendentëve për kryetar të degës, Naim Bazaj dhe Sejdi Hoxha.

Zyrtari i degës, i cili njëherësh është edhe kandidat për dege të PDK-së në Drenas, Naim Bazaj, ka thënë për KALLXO.com se kuvendi i cili ishte paraparë të mbahej dje, e që më pas ishte shtyrë për sot, prapë është anuluar.

Ai thotë se data e mbajtjes së këtij kuvendi është shtyrë nga kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci.

“E ka shty se dje është dashtë me u mbajt kuvendi por e ka shty z. Lladrovci pa pëlqimin e tonë neve anëtarëve të komisionit që jemi edhe të komisionit lokal edhe të komisionit qendror. Pa kurrfarë arsyetimi. Veç na ka thirrë në telefon, a jeni dakord me mbajtë a me shty? Unë kam thanë që jam dakord me e mbajtë, e ai tha na jemi tonë për me shty. Kaq e kemi zgjatë muhabetin në telefon me të”, ka deklaruar Bazaj.

Tutje ai ka thënë se është caktuar një datë e re për mbajtjen e këtij kuvendi, por që sipas Bazajt, kjo po bëhet për ‘pazare politike’.

“Kuvendin e ka përcaktu me e mbajtë me 19 maj, e ka shty jo pak po tepër se nuk është dashtë me e shty mbrëmë edhe është e vërtetë që janë duke këqyrë me manipulu edhe me shantazhu njëri-tjetrin edhe me bë pazar politik ditor. Tash jemi vetëm me delegatë duke bisedu kapak me grupe të vogla e jo më tepër”, ka shtuar tutje ai përmes telefonit.

Në anën tjetër, kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha ka mohuar të ketë marrë pjesë sot, në ndonjë takim të degës së PDK-së në Drenas.

“Jo, nuk jam informuar për ndonjë takim”, ka deklaruar Hoxha përmes telefonit, për KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.