Shtyhet intervistimi i Shpend Maxhunit lidhur me deportimin e ‘gylenistëve'

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me deportimin e shtetasve turq, Xhelal Sveqla ka shtyer intervistimin e Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shpend Maxhuni në mungesë të kuorumit të deputetëve.

“Më 7 maj në orën 9:30 është intervistimi i radhës”, tha Sveqla.

Maxhuni mbeti që të lajmërojë komisionin për ditën dhe orën kur është i lirë të intervistohet nga komisioni.

“Kam agjendë që nga ora 7. Nuk mund ta konfirmoj tani pasi që e kam agjendën e ngarkuar”, tha Maxhuni.

Deputeti Driton Selmanaj kërkoi mga Maxhuni qe të sjell me vete edhe dy agjendë që kanë marrë pjesë në operacion nga të cilët Komisioni thotë se nuk kanë marrë përgjigje për intervistim.

“Më vjen keq që kemi mungesë të deputetëve. Kemi dasht me i intervistu edhe dy agjendët tuaj por nuk kemi marrë informatë nga ta. Kërkoj nga ju që ju kur të vini të ju jepni leje edhe atyre dy agjentëve të vijnë në këtë komision. Ju do të intervistiheni ndamas por kërkoj me i sjell edhe ata”, tha Selamanaj.

Herën e parë kur Maxhuni ishte intervistuar nga po i njëjti komision, është intervistuar me dyer të mbyllura pa praninë e mediave për shkak të dokumenteve të cilat janë të ndjeshme.