Gjykimi për droge - Foto: KALLXO.com

Shtyhet gjykimi për drogë për shkak të gjendjes shëndetësore të prokurorit

Në Gjykatën Themelore të Gjakovë ishte paraparë të mbahej gjykimi ndaj të akuzuarit për substanca narkotike.

Prokuroria e Gjakovës po e ngarkon Arbnor Zymberin për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të substancave narkotike.

Gjyqtari Nikollë Komani gjykimin e sotëm u shtyu për në muajin korrik për shkak se mungoi prokurori i rastit.

Në këtë seancë ishte planifikuar të prezantohej marrëveshja e nënshkruar për pranimin e fajësisë, që i akuzuari Zymberi dhe Prokuroria e kishin arritur jashtë procesit gjyqësor.

Prokurori Agron Matjani përmes parashtresës me shkrim kishte njoftuar Gjykatën që për shkak të gjendjes shëndetësore të tij nuk ka mundësi të jetë i pranishëm në gjykim e as ta bëjë nënshkrimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

Sipas aktakuzës dyshohet se i akuzuari më parë ishte furnizuar pa autorizim për barna narkotike, substanca psikotrope, materie narkotike të llojit marihuana, hashash dhe kokainë.

Gjatë kontrollit në lokalin e lojërave të fatit “Kajot”, që gjendet në rrugën “Emin Dervishdana” në Gjakovë, me datën 28 gusht të vitit të kaluar, rreth orës 22:00 janë gjetur qese najloni me ngjyra, forma dhe sasi të ndryshme të mbushura me substancë narkotike, thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës së Prokurorisë, sipas raportit të ekspertizës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë në Prishtinë, ka rezultuar se janë të llojit kanabis (marihuanë) që përmban Tetrahidokanabinol, në peshë prej 626.19 gramë, pastaj kanabis (hashash) në peshë prej 4.24 gramë, dhe kokainë në përzierje me benzokainë, levamisol dhe tetrahidrokanabinol në peshë prej 10.28 gramë.

Me këto veprime dyshohet se i akuzuari ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, nga neni 273, paragrafi 1 i KPRK-së.

Të gjitha këto janë sekuestruar nga Policia.