Nexhat Çoçaj

Shtyhet Gjykimi i Nexhat Çoçajt për Mungesë të Avokatit

Seanca e gjykimit të ish-drejtorit të Arsimit në Prizren Nexhat Çoçajt dhe dy mësimdhënësve Bekim Thaçi e Bedri Çejku është shtyrë, ngase mungoi Bashkim Nevzati, avokati i Nexhat Çoçajt.

Nevzati me një shkresë e kishte njoftuar gjykatën se sot do të jetë në një gjykim tjetër, ndërsa kishte kërkuar që seanca të shtyhej.

“Më duhet të njoftoj gjykatën se për datën 07.11.2017, nuk mundem të marr pjesë pasi që jam i angazhuar në një rast tjetër penal nga Departamenti për Krime të Rënda me numër P.nr.31/15. Andaj i lutem gjykatës që seancën e datës 07.11.2017 të caktojë për një datë tjetër”, thuhej në shkresën e avokatit Nevzati.

Në bazë të kësaj parashtrese, gjykata vendosi që seanca e caktuar për datë 07.11.2017 të shtyhet, ndërsa seanca e radhës u caktua për datën 29.11.2017.

Gjykimi i Çoçajt, Thaçit e Çejkut lidhet me keqpërdorimin e manifestimit Java e Dëshmorit Remzi Ademaj.

Çoçaj ishte dënuar me 3 vjet burg me vendim të gjykatës për këtë çështje, ndërsa Thaçi me 14 muaj, e Çejku me 6 muaj burg, por Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.

http://kallxo.com/nexhat-cocaj-denohet-per-javen-e-deshmorit/

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Çoçaj ngarkohet me 5 pika, që të gjitha për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Ai dyshohet se gjatë pesë vjetëve të manifestimit të Javës s[ Remzi Ademajt keqpërdori 61 mijë e 303 euro.

Në vitin 2008, sipas aktakuzës, Komuna e Prizrenit transferoi 12 mijë e 803 euro për Manifestimin Java e Remzi Ademajt në xhirollogarinë e Çoçajt që ishte kryetar i këshillit organizativ.

Me këto mjete pa një procedurë të tenderimit u paguan fatura furnizuesve, në mesin e të cilëve edhe firmës “Bogdani”, probnar i së cilës është Çoçaj, ndërsa u bënë edhe shpenzime jashtë destinimit për javën.

Në vitin 2009 mjetet për Javën e Remzi Ademit nuk dolën në xhirollogarinë e Çoçajt, por në xhirollogarinë e ndërmarrjes botuese “Bogdani”, pronë e Çoçajt.

Në pikën e tretë të aktakuzës Çoçaj akuzohet për keqpërdorim detyre bashkë me arsimtarin Bekim Thaçi që në vitin 2010 ishte kryetar i Këshilli Organizativ të Javës së Remzi Ademajt.

Thaçi sipas aktakuzës, mjetet e manifestimit në shumën prej 10 mijë eurove i barti nga xhirollogaria e tij në xxhirollogarinë e Çoçajt, i cili përsëri pa ndonjë procedurë tenderuese “u ka paguar fatura furnitorëve, ka bërë blerje me kartelë, ka tërhequr para nga bankomati në Durrës, poashtu ka bërë edhe shpenzime nga firma personale “Bogdani” në shumën prej 724 euro”.

Edhe në pikën 4 të aktakuzës Çoçaj akuzohet për keqpërdorim detyre bashkë me Bekim Thaçin për Manifestimin Java e Remzi Ademajt në vitin 2011.

Përsëri, si në vitin 2010, edhe në 2011 Thaçi i kishte bartur 12 mijë eurot e manifestimit në xhirollogarinë e Çoçajt, i cili, sipas aktakuzës, me këto para mes tjerash pagoi edhe këstin e kredisë dhe qiranë.

Në pikën e pestë Çoçaj akuzohet për keqpërdorim detyre bashkë me Bedri Çejkun, i cili në vitin 2012 ishte kryetar i Këshillit Organizativ të Manifestimit Java e Remzi Ademajt.

Edhe Çejku, sipas aktakuzës një pjesë të mjeteve për manifestimin ia dha Çoçajt.

KALLXO.com kishte shkruar për aktakuzën e ngritur ndaj Nexhat Çoçajt dhe të tjerëve.