Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri | Foto: Atdhe Mulla

Shtyhet gjykimi ndaj ish-zyrtarit komunal, të akuzuar se e mashtroi Gazmend Muhaxherin

Si pasojë e mos pajisjes me shkresa të lëndës nga ana e prokurorisë, ka dështuar të mbahet seanca ndaj ish-zyrtarit të komunës së Pejës, Budak Shala, dhe shefit të një kompanie, Enver Daci.

Sipas aktakuzës, Budak Shala ka tejkaluar kompetencat e tije me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për kompaninë “Citroen”, me pronar Enver Dacin.

Në aktakuzë thuhet i pandehuri Budak Shala, si zyrtar i kabinetit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka përpiluar vendimin kinse të lëshuar nga bordi i drejtoreve të Komunës së Pejës, duke ia dërguar të dëmtuarit Gazmend Muhaxheri, të cilin e ka vënë në lajthitje. Muhaxheri, atë vendim, sipas aktakuzës, e kishte nënshkruar pa e kontrolluar së bashku me vendimet tjera.

Me këtë vendim, kompanisë “Citroën” i njohej e drejta për kompensim në vlerë prej 440 mijë euro.

Ndërsa i pandehuri tjetër Enver Daci, pronar i kompanisë ‘Citroën’ akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka tentuar që me anë të paraqitjes së rreme te fakteve t’i shkaktojë dëm komunës, pasi që vendimin e falsifikuar ia kishte dërguar përmes postës drejtorit komunal të financave Jeton Abazaj, duke i kërkuar 440 mijë euro kompensim.

Aktakuza thotë se duke dyshuar në kërkesën e bërë, Abazaj këtë vendim ia kishte dërguar kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili më pas e kishte paraqitur rastin në prokurori

Aktakuza ndaj Budak Shalës dhe Enver Dacit është ngritur në muajin qershor.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-zyrtarit-te-kabinetit-te-gazmend-muhaxherit/

Edhe dje gjatë ditës për shkak të mospajisjes me shkresa të lëndës u shty gjykimi ndaj kryetarit të komunës së Istogut, Haki Rugova.

https://kallxo.com/shtyhet-seanca-gjyqesore-ndaj-haki-rugoves/