Pamje nga seanca e gjykimit të zyrtarit të Bankës NLB, Ismajl Rudari - Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi Ndaj ish-Drejtorit të Ekspoziturës të Bankës NLB

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, njoftoi palët se ka provuar të kontaktojë me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore, por nga i njëjti nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Gjyqtari Kurtaj tha se me sa ka dëgjuar, prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu, ka kaluar në Prokurorinë Speciale dhe e njëjta duket se nuk ka gjetur zëvendësim.

Ndërkaq, në këtë gjykim po akuzohet Ismajl Rudari, me pretendimin se në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës të Bankës NLB, gjatë periudhës kohore 2003-2005, i ka shkaktuar bankës në fjalë dëm në vlerë prej 305.420,71 euro.

Në aktakuzë theksohet se e gjithë kjo është bërë me qëllim të përvetësimit të pasurisë.

Në bazë të aktakuzës, i akuzuari Rudari kishte lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me disa kompani private.

Disa nga këto kompani private ishin NTPSH “Beargo”, në shumën prej 159,193 euro, NB “Limani” në vlerë prej 15,692 euro, NTP “Irsija-Cos” në shumë prej 8,169 euro, NT “Xheneti” në vlerë prej 91,013 euro, NTP “Elektro Vali” 6,604 euro dhe NTP “Altini Comerc” në shumën prej 30,747 euro.

Me këtë, Rudari ngarkohet nga Prokuroria me veprën penale përvetësimi në detyrë.

Më tutje, i akuzuari në mbrojtjen e tij kishte mohuar të ketë kryer veprën penale për të cilën po akuzohet, duke deklaruar se gjatë gjithë kohës që e ka ushtruar këtë pozitë asnjëherë nuk ka përvetësuar pasuri dhe asnjëherë nuk ka keqpërdorur detyrën zyrtare që të përfitojë në ndonjë mënyrë.

http://kallxo.com/ish-zyrtari-bankes-ndihet-pafajshem/

Për seancën e radhës kryetari i trupit gjykues bëri të ditur se do të sigurohet prokurori në mënyrë që të mos prolongohet gjykimi.