Shtyhet gjykimi i Ukë Rugovës për biznesin me vizat italiane

Pas një viti pauzë, sot ishte paraparë që më në fund në Gjykatën e Prishtinës të vazhdojë procesi gjyqësor në gjykimin ndaj Ukë Rugovës nën dyshimet se ishte pjesë e një grupi që furnizonin individë me viza Schengen të BE-së nga Ambasada italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Megjithatë, seanca që pritej të fillojë sot, u shty për shkak të mungesës së të akuzuarve.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica në mungesë të kushteve për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor seancën e sotme e shtyu për një datë tjetër.

Përdersia Ukë Rugova që është djali i ish- Presidentit Ibrahim Rugova u paraqit sot në gjykatë, munguan të akuzuarit :Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi dhe.Hamza Beqiri.

Avokatët e disa prej këtyre thanë se të mbrojturit e tyre kanë deklaruar se nuk i kanë pranuar ftesat.

Kur kanë kaluar më shumë se një vit qëkur është mbajtur seanca e fundit ndaj Ukë Rugovës, Gjykata Themelore e Prishtinës më në fund ka caktuar seancën e këtij gjykimi.

Që nga koha kur EULEX-i e ka përfunduar mandatin në Kosovë dhe pasi që lënda është transferuar te gjyqtarët vendorë nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore.

Më 30 janar të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi se EULEX-i kishte hequr dorë nga gjykimi i këtij rasti, duke e transferuar atë te vendorët.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale, Ukë Rugova ishte pjesë e një grupi qëllimi i të cilit ishte përfitimi material, duke furnizuar individë me viza Schengen të BE-së nga Ambasada italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë në lidhje me aktivitetet e grupit.

Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe 20 persona të tjerë, ndër ta edhe ish-ministri Astrit Haraqija.

Të akuzuarit e këtij rasti janë deklaruar të pafajshëm duke mohuar pretendimet e Prokurorisë.

Të gjitha raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.