Gjykimi për vjedhje - Foto: KALLXO.com

Shtyhet gjykimi i shtetasit të Shqipërisë, i akuzuar për vjedhje në Gjakovë

Për sot ishte paraparë të mbahej seanca fillestare dhe të lexohej aktakuza që të pandehurin Ardian Jupa, nga Republika e Shqipërisë, e ngarkon për veprën penale të vjedhjes.

Por seanca nuk u mbajt sepse nuk ishte i pranishëm i akuzuari.

I pranishëm nuk ishte as i dëmtuari Agim Salihu, i cili duhej të arsyetonte mungesën e tij para gjyqtarit Mentor Bajraktari.

Gjykata paraprakisht kishte pranuar një shkresë, në të cilën thuhet se i akuzuari ndodhet në burg në shtetin e Kosovës.

Mbetet që Gjykata ta verifikojë edhe njëherë se në cilin burg gjendet i akuzuari, në mënyrë që të njëjtin ta sjellin nga burgu dhe të sigurohet prezenca e tij në seancën e radhës.

Pasi që prokurorja Dëshire Jusaj deklaroi se nuk ka kushte për mbajtjen e gjykimit, atëherë gjyqtari shqyrtimin e radhës e caktoi për më datë 12 korrik.

Sipas aktakuzës, më 20 janar të vitit 2014, në Gjakovë, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, shkon te shtëpia e të dëmtuarit Agim Salihu dhe nga kamioni i markës “Man” heq dhe e vjedh një bateri të llojit “Starker 130A”, si dhe nga dy kamionët e tjerë të parkuar nxjerr dhe vjedhë 100 litra naftë dhe më pas largohet.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, dyshohet se Ardian Jupa nga fshati Gajrep, Has, Republika e Shqipërisë, ka kryer veprën penale të vjedhjes nga neni 325, i KPRK-së.