Ramadan Muja në Gjykatën e Gjilanit (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Shtyhet gjykimi i Ramadan Mujës për keqpërdorim me prona komunale

Ka dështuar mbajtja e seancës gjyqësore në rastin ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, si dhe ish-zyrtarëve të kësaj Komune.

Në një prononcim për KALLXO.com, zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra, tha se arsyeja e dështimit të kësaj seance gjyqësore ishte mungesa e të akuzuarit Minir Krasniqi.

I akuzuari përmes avokatit të tij e kishte njoftuar Gjykatën se ditën e sotme nuk do të mund të paraqitej në Gjykatë.

Për shkak të mosplotësimit të kushteve për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor seanca e sotme është shtyrë për një datë tjetër.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, Muja dhe zyrtarët e ish-zyrtarët e tjerë të Komunës së Prizrenit janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me veprat të cilat u vihen në barrë.

http://kallxo.com/muja-nuk-kam-kryer-veper-penale-por-veper-humane/

Rigjykimi i Ramadan Mujës dhe të tjerëve është zhvendosur nga Gjykata e Prizrenit në atë të Gjilanit me kërkesë të kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, me arsyetimin se njëra nga veprat penale me të cilat ngarkohej Muja lidhej me kallëzimin penal të Gjykatës në Prizren.

Pastaj Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në Prizren është jokompetente për ta gjykuar këtë çështje, andaj vendosi që Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan ka kompetencë territoriale për gjykimin e Mujës dhe të tjerëve.

Muja dhe të tjerët akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Muja për katër pikat e aktakuzës u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues – ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Në rastin e njëjtë të gjykuar nga Gjykata e Prizrenit, Minir Krasniqi, ish-drejtor i Administratës Publike, ishte dënuar me 1 vjet e 6 muaj burgim me kusht që për dy vjet të mos bëjë vepër tjetër penale.

Edhe Krasniqi nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 18 muaj.

Kadri Ukimeri, ish-drejtor i Gjeodezisë, dhe Sadik Paçarizi, ish-drejtor i Urbanizmit, ishin dënuar me 8 muaj burgim me kusht që për 2 vjet të mos bëjnë vepër tjetër penale.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale.

Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit. Dhe më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.