Gjykimi për marrje ryshfeti - Foto: KALLXO.com

Shtyhet gjykimi i inspektorit të akuzuar për marrje ryshfeti

Në rigjykimin ndaj Lulzim Çitakut, inspektor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës  për veprat penale – marrje e ryshfetit dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare, shqyrtimi gjyqësor nuk është mbajtur sot për shkak të mungesës se prokurores, Sahide Gashi.

Kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, tha se prokurorja Gashi e ka njoftuar se nuk mund të jetë e pranishme ditën e enjte në gjykim me arsyetime se atë ditë të javës është e caktuar nga Prokurori i Shtetit në Departamentin e Përgjithshëm.

Përveç prokurores, munguan edhe avokati i palës se dëmtuar, Granit Vokshi, dhe tre dëshmitarët Naser Kalludra, Jeton Aliqkaj dhe Nuredin Bislimi.

Përveç këtyre të treve, sot kishte për t’u dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit edhe polici hetues, Agim Haliti, i cili ishte i pranishëm në seancën e sotme.

Avokati i të akuzuarit, Lulzim Çitakut, Mahmut Halili, i kërkoi kryetari të trupit gjykues caktimin sa më shpejtë të datës së mbajtjes se këtij shqyrtimi gjyqësor.

Sipas tij janë bërë pesë vjet që kur ka filluar ky proces gjyqësor.

Trupi gjykues mori aktvendim që shqyrtimi gjyqësor i këtij rasti të mbahet me 3 korrik të këtij vitit. Gjatë asaj seance pritet të dëgjohen katër dëshmitarët e paraparë të dëshmojnë sot.

Lulzim Çitaku akuzohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim detyre ndërsa Gjykata Themelore e Pejës në vitin 2015 e kishte shpallur të pafajshëm por më pas Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim pas ankesës së Prokurorisë Themelore të Pejës.

https://kallxo.com/shpallet-i-pafajshem-inspektori-i-minierave-dhe-mineraleve/

https://kallxo.com/kthehet-ne-rigjykim-rasti-inspektorit-te-kpmm-se/

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.