Gjykata Themelore në Prizren

Shtyhet deri në Fund të Vitit Gjykimi i ish-Profesorit

Seanca gjyqësore e planifikuar të mbahej të martën ndaj ish-profesorit të Universitetit të Prizrenit, Bashkim Zahiti, për shkak të veprave penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të ushtrimit të ndikimit, nuk u mbajt për shkak të mungesës së të akuzuarit Zahiti dhe mbrojtësit të tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naser Sopjani, më datë 25 maj 2017 e kishte njoftuar gjykatën me anë të një shkrese se i akuzuari Bashkim Zahiti nuk mund të paraqitet në shqyrtimin gjyqësor për këtë datë, për shkak se i njëjti gjendet në Gjermani në trajtim mjekësor dhe sipas rekomandimeve të mjekëve ai nuk mund të udhëtojë në Kosovë deri më datën 4 dhjetor 2017.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, trupi gjykues mori vendim për mosmbajtje të kësaj seance dhe shtyrjen e gjykimit për një afat të pacaktuar, gjersa gjykata të merr informata lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit.

Bashkim Zahiti, ish profesor i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” në Prizren, ka qenë nën masën e paraburgimit prej datës 18 qershor 2015 deri më datën 3 korrik 2015, për shkak të dyshimit për kryerje të dy veprave penale të  keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të ushtrimit të ndikimit.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Zahiti në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete, në atë mënyrë që përkundër faktit që e dëmtuara N.N. e kishte kaluar provimin më datë 20.01.2014 nga lënda që e ligjëronte i akuzari “E drejta Europiane” nuk ia vendosur notën kaluese në indeks.

“Përmes thirrjeve telefonike dhe takimeve që i ka pasur në kabinetin e tij në UPZ gjatë periudhës kohore tetor 2014 e deri në mars 2015, kërkon nga ajo që në shkëmbim të vendosjes së notës, të ketë marrëdhënie intime, duke i thënë përpos tjerash “duhesh me e pyet veten që nuk po pranon me dalë me mu, duhesh me ardhë në Prishtinë, ti ose del me mu ose edhe dy provime që i ke s’ki me i kalu kurrë, ta jap nëse ma jep, me e pas bo nerën tash një vit e kishe dhënë…”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së prokurorisë së shtetit.

Me këto veprime, Zahiti, ngarkohet për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Zahiti, po ashtu akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar përfitime edhe nga e dëmtuara tjetër N.N.

Përmes bisedave telefonike që kishte zhvilluar me të gjatë periudhës kohore nëntor 2014 e deri në shkurt 2015, me pretekstin se do t’ i ndihmojë për ta kaluar provimin në një lëndë që e ligjëronte kolegu i tij, i kërkonte asaj që të shkonte në Prishtinë ose në Graçanicë për të pasur marrëdhënie intime.

“Kur ta lajsh borxhin ose kur ma bën dhuratën do të foli me profesorin, pasi ti preki c… e ke të kryer fakultetin do të diplomosh me dhjetëshe, për ty do ta luti profën, bëjmë diç por qysh bëjmë ti e din…”, thuhet në aktakuzë t’i ketë thënë i akuzuari të dëmtuarës.

Me këto veprime sipas prokurorisë ka kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

KALLXO.com, pati raportuar edhe më herët për këtë rast.

http://kallxo.com/gjykata-e-apelit-kthen-per-rivendosje-paraburgimin-e-profesorit/

http://kallxo.com/prokuroria-ndalon-dy-profesore-te-universitetit-te-prizrenit/

http://kallxo.com/aktakuze-per-keqperdorim-detyre-dhe-ushtrim-ndikimi/