Pal Lekaj

Shtohet Numri i Ministrave të Akuzuar, Aktakuzë Edhe Ndaj Pal Lekajt

Prokuroria Speciale, ka ngritur një aktakuzë ndaj ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, kanë bërë të ditur burime të KALLXO.com nga kjo prokurori.

Bëhet e ditur se Lekaj do të përballet me akuzat e Prokurorisë Speciale në Gjykatën e Gjakovës për 2 vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Burimet thonë se akuzat kanë të bëjnë me kohën kur Lekaj ka qenë kryetar i komunës së Gjakovës në periudhën 2007-2013.

Vetë Lekaj ka shkruar në Facebook rreth kësaj aktakuze.

“Krejt çka mund të them tani për tani është se në asnjë rast e rrethanë nuk kam vepruar ndryshe përveçse në harmoni me ligjin dhe në ndihmë për qytetarët e shumtë që kanë përfituar nga subvencionet të cilat i ka shpërndarë Komuna e Gjakovës”, tha ai.

“Ashtu siç kam qenë do të vazhdojë të jem në krye të detyrës, për të përmbushur obligimet tona ndaj qytetarëve dhe vendit tonë. Cilido që do të jetë epilogu i organeve të drejtësisë jam i gatshëm ta respektoj. Por nuk do të ndalemi në punën tonë, pa marrë parasysh tendencës së presionit”, shtoi ai.

Në maj të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Gjakovës kishte pushuar procedurën penale ndaj të pandehurve Pal Lekaj, Qazim Mehmeti dhe Nikollë Lleshi të cilët akuzoheshin se në bashkëkryerje kishin keqpërdorë detyrën zyrtare.

Sipas aktakuzës, Lekaj, Mehmeti dhe Lleshi akuzoheshin se gjatë muajit mars të vitit 2012 në bashkëkryerje kanë tejkaluar kompetencat me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie pasurore për vete apo për tjetrin duke i shkaktuar dëme Komunës së Gjakovës dhe banorëve të fshatit Jahoc të kësaj komune në një projekt të asfaltimit të një rruge gjatë kohës sa Lekaj ishte kryetar i komunës së Gjakovës.

Me këtë aktakuzë, Lekaj bëhet anëtari i tretë i qeverisë Haradinaj nën akuzë pas Besim Beqajt dhe Valdrin Llukës.