Milo Gjukanoviq. Foto: gov.me

‘Shteti Rus” Prapa Grushtit të Shtetit në Mal të Zi

“Shteti rus” orkestroi një përpjekje për grusht shteti më 16 tetor në Mal të Zi në përpjekje për të ndaluar vendin ballkanas të anëtarësohet në NATO, tha të dielën prokurori malazez Milivoje Katniq.

“Deri më tani, kemi pasur prova se struktura nacionaliste ruse fshiheshin pas (përpjekjes për grusht shteti), por tani kemi prova se organe shtetërore ruse ishin gjithashtu të përfshira në një nivel të caktuar”, tha Katniq për median lokale “Atlas TV”.

Katniq më parë kishte thënë se komploti për të vrarë ish-kryeministrin Milo Gjukanoviq dhe për të përmbysur qeverinë properëndimore ishte orkestruar nga “disa nacionalistë rusë”, por ai shkoi një hap më tej të dielën, duke thënë se ishte i përfshirë Kremlini.

“Organet e shtetit rus duhet të hetojnë se cilat organe u përfshinë dhe të hapin një gjyq penal kundrejt këtyre akteve”, tha Katniq.

Prokuroria Speciale në nëntor tha se një grup kriminal me bazë në Rusi, Serbi dhe Mal të Zi synonte të kryente “një sulm terrorist” në ditën e zgjedhjeve.

Prokuroria pohoi se shërbimet e sigurisë kanë penguar grushtin e shtetit pas arrestimit të 20 shtetasve serbë, përfshirë një ish-gjeneral të Policisë serbe, Bratislav Dikiq.

Më 18 nëntor, Prokuroria Speciale publikoi emrat e dy rusëve – Eduard Shirokov dhe Vladimir Popov – të akuzuar për organizimin e komplotit.

Katniq të dielën tha se qëllimi i përpjekjes për grushtin e shtetit në ditën e zgjedhjeve ishte parandalimi i anëtarësimit të vendit ballkanik në NATO.

Sipas tij, kreu i grupit që përgatiti grushtin e shtetit dhe vrasjen e Gjukanoviq ishte shtetasi rus Eduard Shirokov, aktualisht i kërkuar nga Interpol, në bazë të një urdhri të lëshuar nga autoritetet malazeze.

Katniq tha emri i vërtetë i Shirokov ishte Eduard Shishmakov.

“Në vitin 2014, Shishmakov ishte zëvendës-atashe ushtarak në ambasadën ruse në Poloni, por u përjashtua pas spiunazhit për Rusinë dhe u shpall persona non grata. Kjo pasaportë (e re) u lëshua për të nga autoritetet ruse dhe ai është një anëtar i shërbimeve ruse të sigurisë”, pretendoi Katniq.

Ai tha se dëshmitari kyç i prokurorisë, shtetasi serb Sasha Sinxheliq, u ftua në Moskë nga Shishmakov që të qartësohej për misionin.

Shishmakov – me pseudonimin Shirakov – “i kërkoi të punonte për të parandaluar hyrjen e Malit të Zi në NATO. Ky është motivimi i vetëm i këtyre strukturave”, tha Katniq.

Ai tha se Zyra e Prokurorisë Speciale të Shtetit do të përfundojë aktakuzat për tentativë grushti shteti kundër 25 personave deri më 15 prill.

Të dyshuarit përfshijnë dy udhëheqësit e aleancës opozitare pro-ruse, Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq.

Parlamenti u hoqi imunitetin javën e kaluar në mënyrë që ata të përballen me akuzat dhe të arrestohen. Mandiq dhe Knezheviq kanë hedhur poshtë akuzat për komplot si false.

Në një vendim të papritur, pas votimit parlamentar për imunitetin të mërkurën, prokurori i Lartë i Shtetit Ivica Stankoviq urdhëroi që dy të akuzuarit të gjykohen në liri.

“Stankoviq vendosi të mos i arrestojë Mandiq dhe Knezheviqin për arsye të mirë, sepse Mali i Zi ishte buzë luftës civile”, shpjegoi Katniq.

Opozita ka vazhduar të pretendojë se qeveria pro-perëndimore drejtuar më parë nga Gjukanoviq ka falsifikuar tentativën e grushtit të shtetit për të diskredituar Frontin Demokratik dhe fushatën anti-NATO.

Në Mal të Zi, publiku mbetet i mëdyshur në lidhje me NATO-n dhe nga ana tjetër opozita ka kërkuar një referendum mbi anëtarësimin ose jo. Qeveria pohon se Parlamenti, ku partitë në pushtet kanë shumicën, ka të drejtë ta marrë vetë vendimin.