Shqyrtimi i gjykimit për bombolën e gazit | Foto: KALLXO.com

Shqyrtohet në Apel Rasti i Shpërthimit të Bombolës së Gazit që La Dy të Vdekur

Gjykata e Apelit e ka shqyrtuar rastin e shpërthimit të bombolës së gazit në Prishtinë, nga i cili vdiqën dy persona dhe disa të tjerë u lënduan.

Ankesë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, kishin ushtruar prokurori i çështjes si edhe mbrojtësit e të akuzuarve.

Në bazë të ankesës të cilën prokurorja e çështjes Ferdane Sylejmani e kishte parashtruar në Gjykatën e Apelit, kishte kërkuar që aktgjykimi i gjykatës themelore të ndryshohej dhe ndaj të akuzuarve të shqiptohej një dënim më i lartë.

Sipas prokurorisë, dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë nuk është në përputhje me dëmin i cili është shkaktuar.

“Aktgjykimi i kundërshtuar të ndryshohet dhe ndaj të akuzuarve të shqiptohet dënim më i lartë, dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve nuk është në përputhje me dëmin e shkaktuar”, thuhej në ankesën të cilën prokuroria ia kishte drejtuar Gjykatës së Apelit.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar i familjes së të ndjerit Bekim Muharremi, avokati Shaban Bujupi, tha se në bazë të ligjit dënimet për kryerjen e këtyre veprave penale janë të parapara prej një deri në tetë vjet, por sipas tij gjykata u ka shqiptuar dënime shumë më të lehta të akuzuarve.

Avokati Bujupi kërkoi nga Gjykata e Apelit që ndaj të akuzuarve të shqiptoheshin dënime me të rënda konform ligjit.

“Dënimet për këto vepra penale janë të parapara prej një deri në tetë vjet për të akuzuarit e parë, ndërsa gjykata u ka shqiptuar dënime me të lehta andaj konsideroj se duhet të shqiptohen dënime me të rënda me burgim, andaj e përkrahim ankesën e prokurorit”, u shpreh avokati Shaban Bujupi.

Edhe avokati Ramë Dreshaj u shpreh se e përkrah plotësisht ankesën e prokurorit si dhe deklaroi se mbetet në tërësi pranë ankesës së paraqitur me shkrim.

Ndërsa mbrojtësi i Muhamet Prapashticës, avokati Ramiz Krasniqi tha se klienti i tij të vetmin faj e ka për shkak se nuk ka qenë i pajisur me disa leje, por tha se kjo nuk ka qenë arsyeja e shpërthimit të bombolës së gazit dhe se i mbrojturi i tij nuk është fare fajtor për atë që ka ndodhur.

Në lidhje me shpërthimin e bombolës avokati deklaroi se fajtor është Faton Canolli.

“Krejt fajësia e Muhametit është se në pompën e vendosur nuk i ka pasur disa leje, dhe qoftë edhe mungesa totale e këtyre lejeve nuk do të thotë se Muhamet Prapashtica është fajtor për këtë që ka ndodhur. Fajtor është Faton Canolli i cili kur e ka bërë zbrazjen e gazit që ka ardh deri të shpërthimi”, deklaroi avokati Krasniqi.

Ai më tej i kërkoi Gjykatës së Apelit që ta prishë aktgjykimin e shkallës së parë pasi që sipas avokatit një aktgjykim i tillë i pabazuar nuk i ka aspak hije gjykatës së shkallës së parë.

“Unë mendoj se e vetmja zgjedhje e kësaj gjykate është prishja e këtij aktgjykimi, sepse një aktgjykim si i tillë nuk mund të qëndrojë. Nuk i ka hije Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamentit për Krime të Rënda të nxjerrë një aktgjykim të tillë”, u shpreh avokati.

Mbrojtësi i Besnik Sadikut, avokati Idriz Ibrahimi deklaroi se gjykata themelore ka bërë shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës duke e shpallur fajtor të mbrojturin e tij.

“Këtu kemi të bëjmë edhe me shkelje të Kodit Penal sepse për t’u shpallur fajtor për këtë vepër penale duhet të dihet qëllimi, motivi apo mosveprimi, ndërsa te i mbrojturi im të gjitha këto mungojnë, ai është përgjegjës vetëm se ka qenë pronar i firmës”, tha avokati Ibrahimi.

Avokati konstatoi se nuk e di ku është bazuar gjykata kur ka shpallur fajtor të mbrojturin e tij.

“E përjashtojmë në tërësi fajësinë e klientit tim Besnik Sadiku, ai e ka kryer punën në rregull, autoboti ka qenë në rregull unë nuk e di se prej ku ka mundur gjykata e shkallës së parë ta shpallë fajtor. Edhe eksperti e ka përjashtuar fajësinë e klientit tim. Gjykata duhet ta aprovojë në tërësi ankesën tonë, klientin tim ta lirojë nga aktakuza ose ta prishë këtë aktgjykim”, deklaroi avokati Ibrahimi.

Ndërsa avokati Bajram Tmava, mbrojtësi i Ahmet Frangut, tha se klienti i tij nuk ka pasur autoritet ligjor për ta mbikëqyrur punën e ndërmarrjes.

Sipas tij që një person të shpallet fajtor për këtë vepër penale duhet të ekzistojë dashja e cila tha se mungon në këtë rast te klienti i tij.

“Sa i përket Ahmet Frangut ky nuk ka pasur kompetencë e as autoritet ligjor që ta kontrollojë, mbikëqyr punën e ndërmarrjes, apo vendosjes së autobotit. Ky s’ka pasë kompetencë, e as autorizim që ta mbikëqyrë punën e asaj ndërmarrjeje, as ta autorizojë, për këtë vepër penale duhet të ekzistoj dashja”, deklaroi avokati Tmava.

Edhe mbrojtësja e Nafije Osmanit, avokatja Hadije Ademi tha se e mbrojtura e saj ka qenë vetëm inspektore e tregut dhe se nuk ka qenë inspektore e derivateve.

Për të akuzuarën Hadije Ademi tha se nuk e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar dhe kërkoi nga Gjykata e Apelit që ta lirojë nga aktakuza.

“I mbështes në tërësi pretendimet e ankesës të ushtruara nga e akuzuara Nafije Osmani ndaj Gjykatës Themelore në Prishtinë nga fakti se e njëjta që nga intervisitimi i parë e deri më sot nuk e ndjen veten fajtore, ajo është vetëm inspektore e tregut dhe jo inspektore e derivateve. Me këtë rast kërkoj që të njëjtën ta lironi nga aktakuza, sepse e njëjta nuk e ka kryer veprën për të cilën akuzohet”, deklaroi avokatja Hadije Ademi.

Më 15 mars të vitit 2008 në Prishtinë një bombol gazi që shpërtheu teksa po furnizohej një pompë, kishte shkaktuar vdekjen e Bekim Muharremit dhe Ismajl Sadikut dhe lëndimin e Naser Dragushës, Meriton Demirit dhe Abbade Aylew-it.

Afro nëntë vjet pas këtij shpërthimi, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë dhe i kishte dënuar të akuzuarit e këtij procesi.

Muhamet Prapashtica, pronari i kompanisë “M Gas Petrol”, gjatë furnizimit të së cilës shpërtheu bombola, është dënuar me 4 vjet e 10 muaj burg.

Prapashtica në këtë proces gjyqësor akuzohej për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Besnik Sadiku, pronari i kompanisë “P- Gas”, autocisterna e së cilës po furnizonte pompën kur ndodhi shpërthimi, u dënua me 6 muaj burg.

Edhe Sadiku akuzohej për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Ahmet Frangu është dënuar me 1 vit burgim. Ai në kohën e shpërthimit ishte kryeinspektor i tregut, ndërsa Nafije Osmani, inspektore e tregut u dënua me 6 muaj burg.

Frangu e Osmani ngarkoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi ia kishin mundësuar kompanisë “M-Gas Petrol” dhe “P- Gas” të punojnë pa leje.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor.