Shqiptarët në Luginë të Preshevës ende pa libra shqip

Mungesa e librave shqip në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, vazhdon të jetë mjaftë sfiduese për realizimin e një ore mësimore. Sipas nxënësve dhe mësimdhënësve të asaj ane mënyrë e vetme mbetet diktimi i mësimit nga ana e profesorëve.

Shkurtesa Halimi e cila vijon mësimet në shkollën profesionale “Nikolla Teslla” në Medvegjë ka treguar për KALLXO.com se mësimi i drejtshkrimit shqip ka qenë një sfidë për të ndër vite.

“Ka qenë shumë e vështirë për në të mësojmë gjuhën shqipe. Vështirë nuk e kemi veç ne si nxënës. Barra më e madhe bie mbi profesorët tanë, të cilët detyrohen që ato t’i përkthejnë nga gjuha serbe në atë shqipe e pastaj të na ligjërojnë neve. Drejtshkrimin shqip e kemi  mësuar fal profesorëve të gjuhës shqipe të cilët janë kujdesur në maksimum që ne të shkruajmë pastër shqipen dhe mos ta harrojmë”,  tha Halimi për KALLXO.com.

Se një vështirësi e tillë ekziston e ka treguar edhe profesori i lëndëve ekonomike në Medvegjë, Besnik Salihu.

“Shkolla ekonomike në Medvegjë funksionon nga viti 2006, me vështirësi thelbësore që vazhdojnë edhe sot në vitin 2018. Problemi me të cilin ballafaqohen si mësimdhënësit ashtu edhe nxënësit është mungesa e literaturës”, tha Salihu për KALLXO.com

Ai tregoi për KALLXO.com se mënyra se si ai e realizon orën mësimore është diktimi.

“Mungesa e literaturës vështirëson vijimin e ligjërimit të përditshëm në realizimin e objektivave dhe plan programit mësimor. Diktimi i njësive mësimore nuk lejon realizimin e metodave bashkëkohore të arsimit, vështirëson në vlerësimin e nxënësve si dhe në mbarëvajtjen e mësimdhënies. Moment dhe nevojë esenciale është që të ndërmerret me sigurimin e literaturës”, tha Salihu.

Zgjidhje të këtij problemi pati premtuar, kryetari i sapozgjedhur i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë, Ragmi Mustafa gjatë zgjedhjeve për këtë këshill.

Mustafa për KALLXO.com tha se këtë gjë do ta bëjë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit në Kosovë.

“Çështja e arsimit është shumë e ndjeshme për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Dhe një indikator i drejtpërdrejtë i diskriminimit që ushtrohet ndaj fëmijëve shqiptar të Luginës. Jemi të interesuar që të hapemi dhe konsumojmë të gjitha kompetencat ligjore duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të përballuar diskriminimin në arsim. Presim një bashkëpunim sa intensiv aq edhe pro aktiv me institucionet e Republikës Kosovës. Në veçanti me Ministrin e Arsimit si partner i padiskutueshëm”, tha Mustafa për KALLXO.com

https://kallxo.com/bytyqi-kemi-ndare-1-milion-euro-per-shkollat-profesionale/

Në lidhje me këtë çështje ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi më 12 tetor të këtij viti para komisionit për Arsimit pati thënë se ka kërkuar ndihmë nga Tirana, por se kanë qenë në pritje të përgjigjes.

https://kallxo.com/bytyqi-kemi-ndare-1-milion-euro-per-shkollat-profesionale/

KALLXO.com ka kontaktuar këtë ministri, ku zëdhënësi për media i MASHT-it, Valmir Gashi tha se nuk kanë marrë ende ndonjë sinjal nga ana e ministrisë së Shqipërisë.

“Kjo çështje ka qenë para ardhjes së ministrit Bytyqi në krye të MAShT, mirëpo në bazë të informacioneve që kemi, këto libra janë kthyer mbrapshtë, pra nuk janë dërguar. Ne kemi shprehur gatishmëri që bashkë me Shqipërinë të marrim ndonjë veprim për të dërguar libra në Luginën e Preshevës, mirëpo deri tani nuk kemi marrë ndonjë sinjal rreth kësaj çështje”, tha Gashi për KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga ana e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, por se zyrtarët e këtij dikasteri nuk kanë qenë të gatshëm të japin përgjigje.

Problemi i librave shqip në këtë anë është tashmë e disa vite i pazgjidhur për shkak të mos lejimit nga ana serbe.

Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami në vitin 2015 kishte tentuar që të të dërgojë tekste shqipe, por se ato ishin kthyer në kufirin e Preshevës, me vendim të Serbisë.

Në lidhje me këtë nxënësit kishin filluar vitin shkollor me protesta.