Nga takimi i partive shqiptare në Maqedoni. Foto: Anadolu Agency

Shqiptarët e Maqedonisë Mblidhen për Platformën e Përbashkët

Udhëheqësit e partive shqiptare në Maqedoni – tani pjesë e qeverisë e udhëhequr nga kreu socialdemokrat Zoran Zaev – u mblodhën të mërkurën në Shkup për tu siguruar që e ashtuquajtura platforma shqiptare të bëhet pjesë e agjendës së qeverisë së re.

Platforma – e nënshkruar nga udhëheqësit e partive kryesore që përfaqësonin shqiptarët në Maqedoni me ndihmën e Shqipërisë në janar – mori rëndësi të re pasi partitë morën një rol kryesor në formimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve të përgjithshme më 11 dhjetor.

Dokumenti përqendrohet në kërkesën për barazi të plotë politike dhe ekonomike midis maqedonasve dhe shqiptarëve në shtetin maqedonas dhe mbi statusin e gjuhës shqipe.

Takimi u thirr nga kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, Ali Ahmeti ndërsa në të morën pjesë përfaqësues të Lëvizjes për Reformën – Partinë Demokratike të Shqiptarve, LR PDSH, të udhëhequr nga Ziadin Sela dhe Partinë Demokratike Shqiptare, PDSH.

Megjithatë, Lëvizja BESA, e cila është kundër qeverisë, nuk ka marrë pjesë, duke kërkuar më shumë garanci se partitë në bashkëpunim me Socialdemokratët do të zbatojnë platformën dhe një projekt konkret për shpalljen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjithë Maqedoninë.

Duke folur pas takimit tre orësh, Ahmeti tha se shumica e pikave në platformë tashmë ishin pjesë e programit të qeverisë maqedonase.

“Ne kemi bërë një punë të mirë deri tani”, tha Ahmeti. Megjithatë, ai tha se nuk kishte asnjë afat kohor për të bërë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në të gjithë Maqedoninë.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se rezultati i parë i kësaj platforme ka qenë vizitat e rregullta që zyrtarët maqedonas kanë nisur për në vendet fqinje, në Bullgari dhe Greqi.

“Platforma shqiptare” shkaktoi debat të ashpër në Maqedoni, pasi ish partia qeverisëse VMRO DPMNE, presidenti dhe nacionalistët e ndryshëm pohuan se rrezikoi stabilitetin dhe integritetin e vendit.

Tensionet u rritën më tej pasi partitë shqiptare refuzuan të bashkoheshin me VMRO DPMNE-në e Nikola Gruevskit në formimin e një qeverie të re.

Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov fillimisht ka refuzuar t’i japë Zaev-it mandatin për të formuar qeverinë për shkak të marrëveshjes së Zaev për zbatimin e platformës.

Tensionet ndëretnike kulmuan me nacionalistët të cilët sulmuan dhunshëm deputetët socialdemokratë dhe ata shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë më 27 prill.

Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë, të përqendruar në veri dhe në perëndim të vendit.