Ramush Haradinaj me policinë franceze . Foto: Jean-Francois Badias/BETA.

Shqiptarët e Diasporës Bashkohen për Haradinajn

Në shumë qytete të ndryshme kudo në botë janë mbajtur protesta dhe nënshkruar peticione nga anëtarë të diasporës shqiptare, duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Ramush Haradanajt, i cili u ndalua në Francë javën e kaluar në bazë të një urdhërarresti nga Serbia.

Protestuesit këmbëngulin se arrestimi i tij nuk ishte i ligjshëm, sepse ish-kryeministri i Kosovës, i cili tani drejton Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, është liruar dy herë nga akuzat nga gjykata e krimeve të luftës në Hagë.

Protestat janë organizuar në Bruksel, Uashington dhe Nju-Jork, si edhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ndërsa një sërë veprimesh të tjera do të mbahen më 14 janar në Tiranë, Tetovë dhe Prishtinë.

Beogradi pretendon se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kreu krime lufte gjatë konfliktit të viteve 1990 me forcat serbe.

Protestat nga shqiptarët e diasporës para ambasadave të Serbisë dhe misioneve diplomatike në disa vende shkaktuan reagime të ashpra nga Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq, i cili hodhi dyshimet se disa protestues po planifikojnë të sulmojnë një mision diplomatik serb.

“Kemi informacion për zaptimin e një prej misioneve tona diplomatike në Shtetet e Bashkuara ose Evropë, gjë e cila po komplotohet nga diaspora shqiptare në mënyrë që ta detyrojë Serbinë të tërheqë kërkesën e saj për të gjykuar Haradinajn”, tha të hënën Daçiq.

Ai tha gjithashtu se Serbia nuk do të heqë dorë nga përpjekjet e saj për ekstradimin e Haradinajt.

Deklarata e tij erdhi disa orë pas protestave në mbështetje të Haradinajt jashtë misioneve franceze në Uashington dhe Dallas, dhe para misionit të përhershëm të Serbisë në OKB, në Nju-Jork.

http://kallxo.com/protesta-ne-peje-haradinaj-e-ka-deshmuar-pafajesine/

Politikanët shqiptarë kanë lobuar gjithashtu për lirimin e Haradinajt.

Pasi kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e dënuan ndalimin e tij, zëvendëskryetarja  e Parlamentit, Valentina Leskaj, i bëri thirrje të hënën kreut të Këshillit të Evropës në cilësinë e saj si kryetare e delegacionit parlamentar shqiptar në Këshillin e Evropës.

“Ndalimi i Ramush Haradinajt në një vend anëtar të Këshillit të Evropës në bazë të një urdhërarresti të vjetër nga ana e Serbisë është e papritur dhe e papranueshme. Kjo është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut”, i shkroi Leskaj shefit Këshillit Evropian Pedro Agramunt.

Në vetë Kosovë, deputetët ditën e martë debatuan një rezolutë parlamentare në lidhje me këtë rast.

Ish-kreu i OSBE-së në Kosovë, William Walker, ishte i pranishëm gjatë seancës parlamentare dhe tha për BIRN se ai besonte se urdhërarresti nga ana e Serbisë ishte i motivuar politikisht.

“Francezët duhet të dinë se ky është një akt politik nga ana e Beogradit. Jam i zemëruar që Serbia i vazhdon ende këto përpjekje, njësoj siç jam edhe me Francën”, tha Walker.

Mediat në Serbi raportuan të martën se Ministria e Drejtësisë në Beograd ka paraqitur një kërkesë zyrtare homologes së saj në Paris për ekstradimin e Haradinajt.

Një gjykatë franceze do të vendosë të mërkurën nëse do ta lirojë apo jo nga paraburgimi politikanin nga Kosova në pritje të një vendimi për kërkesën për ekstradim.

http://kallxo.com/ne-gjakove-kerkohet-lirimi-haradinajt-nga-burgu-francez/