Eshtra të zbuluara në vitin 2010 pranë Tiranës. Foto kortezi e Jovan Plakut.

Shqipëria pajtohet të fillojë kërkimin për viktimat e komunizmit

Pas tetë vite debatesh, qeveria miratoi mbrëmjen e kaluar një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur për të filluar kërkimin dhe identifikimin e disa prej 6,000 viktimave të vrarë nga regjimi komunist.

Qeveria ra dakord të mërkurën në mbrëmje që të angazhojë Komisionin Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur që të ndihmojë autoritetet të hetojnë vendndodhjen e disa prej rreth 6,000 shqiptarëve të vrarë ose të zhdukur gjatë 45 viteve të regjimit komunist në vend, të kërkojnë dhe identifikojnë eshtrat e tyre.

Procesi po fillon pothuajse tre dekada pas rënies së regjimit komunist, mes skepticizmit se është tepër vonë dhe deri më tani ka shumë pak fonde.

BE-ja i ka dhënë ICMP rreth 450,000 euro për fillimin e punës, të cilat do të mbulojnë kërkimin në dy vendvarrime të njohura që besohet se përmbajnë viktima të paidentifikuara. Ka dhjetëra vende të tjera të dyshuara varrimesh në të gjithë vendin.

ICMP, i cili ka punuar me sukses në disa vende të pasluftës si Bosnja dhe Hercegovina, i hapi negociatat me Shqipërinë në vitin 2010, pasi një hetim i BIRN tregoi se si familjet e viktimave të regjimit komunist mundoheshin të gjenin njerëzit e tyre të dashur ndërsa autoritetet i shpërfillnin kërkesat e tyre për informacione apo ndihmë.

Megjithatë, u deshën tetë vjet për të arritur marrëveshjen, e cila ende nuk është përfundimtare. Pas miratimit të mërkurën nga Këshilli i Ministrave, marrëveshja duhet të miratohet nga parlamenti para hyrjes së saj në fuqi.

Kërkimi do të fillojë në varrezën famëkeqe sekrete të njohur si Baraka 313 pranë Tiranës, ku shumë njerëz u ekzekutuan ose u varrosën gjatë dekadave të fundit të komunizmit.

Sipas investigimit të BIRN, Jovan Plaku, i biri i një inxhinieri nafte të ekzekutuar në vitin 1976, zbuloi rreth një duzinë eshtrash gjatë kërkimit të babait të tij. Tetë vjet më vonë, asnjë nga eshtrat e zbuluara nuk është identifikuar ende.

ICMP-ja do të fillojë të mbledhë kampione ADN-je nga familjet e atyre që janë zhdukur për t’i krahasuar me ato të eshtrave.

Një tjetër fushë kërkimi do të jetë një varrezë pranë një rafinerie nafte në Ballsh në jug të Shqipërisë.

Varreza besohet se përmban eshtrat e atyre që vdiqën në kampin e punës të ndërtuar për t’i shërbyer rafinerisë.

Pas marrjes së pushtetit në vitin 1945, qeveria komuniste i përdori të burgosurit si krahë i lirë pune në miniera, bujqësi dhe ndërtim.

Ajo refuzoi t’i dorëzonte familjeve trupat e personave të ekzekutuar për një funeral të hairit.

Ata që vdisnin në burg shpesh varroseshin aty pranë në varre të pashënuara.