Xhamia Et'hem Beu në Tiranë - Foto: Flickr/Christian Guthier

Shqipëria Nis Procesin e Legalizimit të Xhamive

Pas 25 vitesh inerci me objektet jozyrtare të kultit, Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale, ALUIZN, ka filluar të shpërndajë çertifikatat e para të pronësisë për xhamitë që nuk ishin ligjërisht të regjistruara në Shqipëri.

Sipas drejtorit të ALUIZN, Artan Lame, prej marsit të këtij viti rreth 957 ndërtime në vend, pjesa më e madhe e të cilave xhami, janë në pritje të legalizimit. Procesi filloi gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti kur tre xhamitë e para në Tiranë morën certifikatat që tregonin se ato ishin pronë e Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Xhamitë qenë ndërtuar pa leje në tokë shtetërore në vitet 1990 dhe formalisht nuk i përkisnin askujt. Gjithsesi, ligji përcakton që KMSH duhet të jetë pronari i të gjitha xhamive.

Kreu i komunitetit mysliman të Tiranës, Ylli Gurra i tha BIRN të enjten se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ishte entuziast për procesin dhe shprehu vullnetin për të paguar kostot e tokës për procesin e legalizimit.

“Dy prej xhamive që u legalizuan së fundi ndodhen në pjesën rurale të Tiranës [Farkë] ndërkohë që njëra është në pjesën qendrore të qytetit [Don Bosko], të gjitha shumë të rëndësishme për besimtarët myslimanë në kryeqytet. Ne e mbështesim këtë proces dhe vetëm në Tiranë kemi 30 xhami të tjera që kërkojnë legalizim të menjëhershëm,” tha ai.

Gurra theksoi se ndërsa ata janë të kënaqur me faktin që agjencia e qeverisë do të legalizojë xhamitë, duan që procesi të ecë me shpejtësi në mënyrë që të trajtojnë problemet që sjellin çështjet e pazgjidhura të pronësisë.

“Nuk duhet ta lëmë inercinë të zgjasë më tej. Nëse të gjitha xhamitë do të jenë pronë e Komunitetit Mysliman, ai do të ketë përgjegjësinë e plotë për çfarë ndodh në ato ndërtime,” tha Gurra.

“E dimë që në të shkuarën, disa xhami pak kilometra nga qendra e Tiranës patën probleme me radikalizimin – edhe për shkak të çështjeve të pronësisë së atyre që i kontrollojnë ato,” shtoi ai.

Në mars 2014, shtatë njerëz, mes të cilëve edhe dy imamët e xhamive në periferi të Tiranës, u arrestuan dhe u dënuan se kishin rekrutuar luftëtarë për Shtetin Islamik. Deri tani, këto dy xhami nuk janë regjistruar ende si pronë e KMSH.

“Zgjidhja e çështjes së pronësisë për komunitetin e myslimanëve të Shqipërisë duhet të jetë një prioritet absolut për agjencitë e shtetit,” këshilloi Gurra.