Shqipe Pantina kritikon deputetët për mbajtjen e seancave të jashtëzakonshme

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka filluar seancën e jashtëzakonshme në të cilën pritet të diskutohet për votimin në lexim të dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave.

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina tha që PSD-ja e ka mbështetur këtë amendament që nga fillimi dhe vazhdon ta mbështesë.

“Ky ligj ka ardh në Kuvend së bashku me këtë amendament para 3 muajve dhe ne qysh atëherë e kemi mbështetur amendamentin e deputetit Haxhiu, jo për shkak të presioneve ose dëshirave të komunitetit të sportit por për shkak që ne kemi besuar që kjo do ti ndihmonte zhvillimit të sportit”, tha ajo.

Deputetja Pantina u shprehë e pakënaqur se pse për këtë ligj të thjeshtë duhet të thirret seancë e jashtëzakonshme.

“Pyetje ime për ju, kryetar edhe për thirrësit e kësaj seancë ndonëse ne e kemi mbështetur, pse këto çështje nuk janë diskutuar dhe nuk po diskutohen në seanca të rregullta, pse u deshtë që për një ligj të tillë i cili shumë mirë ka mundur të votohet në seancë të rregullte, ku ligj të paktën tri herë është hedhur në votim në seanca plenare dhe nuk ka kaluar dhe vetëm pas presioneve të mëdha subjektet politike e kanë ndryshuar mendimin”, theksoi ajo.

Deputetja e PSD-së kritikoi Kuvendin për mos pune duke shtuar se duhet të ndalohet ‘praktika’ e mbajtjes së seancave të jashtëzakonshme për çështje të zakonshme.

“Ka kohë që nuk kemi mbajte seancë të rregullte më janë grumbulluar 20 pyetje parlamentare, nuk po mundemi me pyt qeverinë në një varg veprimesh, kuvendi është shndërruar në diskutim të çështjeve të jashtëzakonshme edhe për çështje që janë krejtësisht të zakonshme” tha tutje ajo.

Edhe në seancën e kaluar ky projektligj është hedhur në votim, mirëpo për shkak të bojkotit opozitar nuk ka arritur të votohet.