Foto: RTV 21

Shpërthim i Fuqishëm në Shkodër, Shtatë të Lënduar

500 gramë eksploziv ishte vendosur në një biznes vetëm 100 metra larg komisariatit ku po zhvillohej një ceremoni me rastin e 105 vjetorit të Policisë, ndërsa në momentin e shpërthimit zona ishte mjaft e populluar.

Rrezja e eksplozionit dëmtoi dhe disa automjete të parkuara aty pranë, ndërsa sipas hetuesve objektivi i atentatit besohet të jetë Lulzim Kulla pronar i dyqanit.

Policia dyshon se lëvizjet e pronarit të biznesit monitoroheshin nga atentatorët, të cilët sapo kanë parë se ai u afrua në zonë kanë aktivizuar shpërthimin me telekomandë.

Forca të shumta policie dhe ambulanca mbërritën në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve.

Pas transportit për në Spitalin e Shkodrës, mjekët thanë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Lulzim Kulla nuk është një emër i panjohur për policinë.

Hetuesit thanë se ai është person me precedentë të theksuar kriminalë kryesisht në gjobëvënien ndaj bizneseve.

Në një rast pas vitit 1997 një tregtar pakice i gazit që nuk pranoi të paguante gjobën u torturua për vdekje.

Për ngjarjen e rëndë dyshohej Lulzim Kulla, por në atë kohë askush nuk u arrestua nga policia.

Grupet kriminale të gjobëvënies nuk janë të reja për Shkodrën.

Në mars të vitit të kaluar policia shkatërroi një bande të tillë qe përbërë prej 7 anëtarësh. Sipas Prokurorisë, ata kishin krijuar një strukturë kriminale për të mbledhur me anën e dhunës, kanosjes dhe kërcënimeve shuma parash nga shitësit e tregut të Zdrales dhe të Rrugës së Gjerë të Kirasit.

Sipas akuzës, anëtarët e grupit në çdo fund muaji merrnin nga çdo tregtar shumat nga 1000 deri në 3000 lekë, ndërsa numri i tregtarëve që detyroheshin të paguanin ishte mjaft i lartë.