Konferenca e FMN-së me ministrin Hoti

Shpenzimet për Veteranët Shqetësojnë FMN-në

Delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar që për nëntë ditë vizitoi Kosovën, sot, në përmbyllje të kësaj vizite dha rekomandimet e tij për institucionet kosovare.

Ajo çka ishte paraqitur si shqetësuese në deklaratën përmbyllëse nga vizita e misionit të FMN-së ishte mungesa e reformës dhe numri i madh më shumë se që pritej i veteranëve të certifikuar së bashku me invalidët e luftës që mund të rrisin shpenzimet në më shumë se 100 milion euro në vit.

Sipas delegacionit të FMN-së Kosova nuk mund të përballojë këto shpenzime, pa cenuar mjete që mund të ndahen për qëllime tjera.

Në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar të mërkurën u miratua një koncept-dokument me të cilin iniciohen ndryshimet e Ligjit për Veteranët.

http://kallxo.com/iniciohet-ndryshimi-ligjit-per-veteranet/

Delegacioni i FMN-së rekomandoi gjithashtu rritje të transparencës në prokurim me kalim të tij të plotë në prokurim elektronik, zgjerimin e mallrave në listën e prokurimeve të centralizuara, rritjen e standardit të jetesës së qytetarëve me krijimin e vendeve të punës që do të krijonin edhe bazën për sundimin e ligjit.

Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se qeveria ka përmbushur të gjitha kriteret e FMN-së.

“Ne kemi arritur t’i përmbushim të gjitha kriteret e dhëna nga programi i FMN-së, kemi filluar me prokurimin elektronik. Nga shtatori të hyrat kanë performuar më mirë sesa që kemi pritur duke bërë rritje ekonomike. Te shpenzimet kemi qenë mjaft të kujdesshëm dhe jemi konfident se do ta përmbyllim vitin brenda rregullës fiskale, duke i respektuar kufijtë e shpenzimeve,” tha Hoti.

Në gusht të këtij viti KALLXO.com shkroi për problemet e prokurimit elektronik në Kosovë.

http://kallxo.com/ngec-prokurimi-elektronik/

Megjithatë, misioni i FMN-së lavdëroi Qeverinë e Kosovës për buxhetin dhe rritjen ekonomike prej 4.1% dhe ruajtje të disiplinës fiskale.

Udhëheqësi i misionit të FMN-së Jasques Miniane tha se qeveria do ta ketë mbështetjen e plotë nga FMN-ja sa i përket buxhetit për vitin 2017.

“Më duhet të përsëris se buxheti i këtij viti është pozitiv, të ardhurat janë shumë të mira. Qeveria ka arritur të ruajë deficitin buxhetor prej 98 milionë eurove. Vlen të theksohet se buxheti i dërguar në Parlamentin e Kosovës për vitin 2017 është buxhet po ashtu shumë i mirë, i cili ka përkrahje të plotë  nga FMN-ja, sepse ky buxhet lë mjaft hapësirë për zhvillimin e kapitalit,” tha Miniane.