Shpend Ahmeti duke votuar për kryetar të Vetëvendosjes - Foto: Facebook

Shpend Ahmeti Voton Për Kryetar të Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar sot fotografitë e disa personaliteteve të kësaj partie që kanë votuar në zgjedhjet e brendshme për kryetar.

Në zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes ka marrë pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Përveç Ahmetit, në këto fotografi të shpërndara nga Lëvizja Vetëvendosje shihen që kanë votuar edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca etj.

Mirëpo në këto fotografi nuk shihet asnjë prej deputetëve që kanë dhënë dorëheqje nga funksionet partiake.

KALLXO ka shkruar më herët për deputetë që kanë votuar në zgjedhjet e sotme dhe ata të cilët kanë heshtur duke mos postuar asgjë në profilet e tyre në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë.

http://kallxo.com/albin-kurti-voton-per-veten/

Zgjedhjet në Vetëvendosje vijnë pas përçarjeve dhe dorëheqjeve të njëpasnjëshme të zyrtarëve të lartë të saj.

Kujtojmë se dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në organet e partisë ka dhënë edhe kryetari i VV-së, Visar Ymeri.

Ndryshe, Ymeri kishte marrë kreun e Vetëvendosjes më 1 mars 2015.

Mandati i tij në krye të VV-së skadonte në shkurt 2018 kur edhe do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e brendshme të subjektit.

Por, gjërat u përshpejtuan pas shpërthimit të krizës në këtë parti sidomos pas publikimit të një bisede në “viber” mes zyrtarëve të këtij subjekti, ku Albin Kurti ofendohej nga Aida Dërguti.

Duhet theksuar se Vetëvendosje gjatë mandatit të kryetarit Visar Ymeri u rrit si subjekt duke dyfishuar madje votat dhe rezultatet në zgjedhjet lokale e parlamentare.

Ish-kryetari, ndërkaq, nuk e ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një subjekti të ri pas zhvillimeve të fundit në Vetëvendosje.