FOTO KALLXO- autobuset e linjave private

Shpend Ahmeti kërkon nga kompanitë e transportit urban të mos protestojnë

Kryetari i komunës së Prishtinës. Shpend Ahmeti ka reaguar pas protestave që po përsëriten nga kompanitë e autobusëve lokalë.

Ankesat e tyre, sipas Ahmetit, janë mungesa e qytetarëve në përdorimin e transportit të ofruar nga ta sepse udhëtarët po e përdorin transportin publik të ofruar nga komuna e Prishtinës.

“Ankesa kryesore është që kemi ndërhy me autobusë të ri në disa pjesë të qytetit ku ata kanë pas profit, posaçërisht në rrugën Muharrem Fejza dhe në Kalabri (te shkolla ekonomike). Po ashtu transportuesi nga Makovci është ankuar që autobusi i Keqekollës po ia merr udhëtaret sepse të gjithë po kanë dëshirë të voziten në autobusët e ri. Kërkesë e kanë që autobusët e ri të tërhiqen nga Kalabria dhe nga Lagja e Spitalit sepse ata kanë pas autobusët e tyre të vjetër në këto linja”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

I pari i komunës ka thënë se Trafiku Urban i ka lajmëruar nënkontraktorët gjatë viteve të fundit se autobusët e ri do t’i zëvendësojnë të vjetrit.

Shpend Ahmeti në autobus – Foto: VV

“Kalabria dhe Lagja e Spitalit kanë bërë qindra kërkesa për transport publik. Ka shumë linja që kalojnë në disa pjesë në të njëjtat rrugë. Komuna e Prishtinës është pronare e linjave të transportit publik, dhe shërbimin për qytetarë e ka mbi interesin privat. Prishtina ka nevojë për 160 autobusë, dhe me ligjin për Kredinë e kemi kusht qe 80 të jenë nga sektori publik e 80 nga sektori privat. Ne kemi 51 në pronësi publike”, ka thënë ai.

Sipas Ahmetit, deri në janar do të tenderohen linjat për sektorin privat dhe do të kenë kontratën e njëjtë të pagesës për kilometër sikurse edhe trafiku urban.

“Të hyrat nga biletat transferohen te komunat. Kontratat do të jenë 7 – 10 vjeçare por kompanitë duhet të investojnë në autobusë shumë më të ri se që I kanë sot. Do ta kemi një standard në krejt transportin publik. I ftoj kompanitë që të përgatiten në javët në vijim për këtë aktivitet e mos të protestojnë sepse autobusët e ri nuk mund të tërhiqen nga qarkullimi për fitim të kompanive private.”, përfundoi Ahmeti.