Shpend Ahmeti flet për parkingun nëntokësor dhe zgjerimin e sheshit

Në shtator të këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte mbyllur për qarkullim të veturave rrugën “Xhorxh Bush” nga Katedralja deri tek hotel “Grand”, kjo për arsye të testimit për projektin që këto rrugë t’i kthejë në një park më të madh.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti potencoi se pas fillimit të projektit të parkingut nëntokësor, do të fillojnë me planin për zgjerimin e “gjelbërimit”.

“Ashtu siç është përcaktuar në planin zhvillimor të Komunës, planifikohet mbyllja e rrugës ‘Xhorxh Bush” deri të katedralja, më qenë se tash jemi në fazën e dytë të projektit të parkingut nëntokësor ku janë para-kualifiku katër kompani dhe ne në momentin që fillon projekti i parkingut nëntokësor do ta shfrytëzojmë atë periudhë që ta bëjmë planin për zgjerimin kisha me quajt të gjelbërimit nga fakulteti filologjik deri të katedralja, natyrisht me një korsi e cila do të mbetet për autobusë por jo dhe asfalt siç kanë qenë tash, ideja është që ta krijojmë një park në mes të qytetit qe të quhet Parku Qendrorë i Qytetit”, tha ai.

I pari i Prishtinës, u përgjigj për KALLXO.com se projektet do të fillojnë në pranverën e vitit 2020.

“Para dy jave janë përzgjedhë katër kompanitë tash e kemi periudhën e dytë që është bërë. Në fillim të pranverës fillojmë me projekt që do të thotë se gjatë vitit të ardhshëm do ta kemi së paku të konceptuar sepse ndërtimi i parkingut nëntokësor i merr 18 muaj”, tha Ahmeti.

Testimi i fundit ishte bërë me 30 shtator i cili ishte paraparë që të rruga të qëndroj e mbyllur për qarkullim që nga ora 6:00 e mëngjesit deri në orën 24:00, mirëpo Komuna ishte detyruar që ta ç ‘bllokoj disa orë më herët pasi që po krijonte tollovinë në trafik.