Shpend Ahmeti flet për largimin e Jonuz Salihajt nga Drejtoria për Arsim

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dhënë sot arsyet pse një ditë më parë nënshkroi vendimin për shkarkimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë Komunale për Arsim, Jonuz Salihajt.

Shkarkimi i Salihajt është bërë pas pakënaqësive që ka shprehur partia e tij, AAK.

“Shkarkimi i Jonuz Salihajt është bërë me kërkesën e AAK-së të cilën kërkesë e kanë dorëzuar në nëntor të vitit të kaluar sepse supozohet që kanë pasur mospajtime, dhe mund të them që më nuk është drejtor i Arsimit, nuk mund ta konsideroj atë si drejtori të aleancës sepse nuk pajtohen me punën apo qëndrimet e z. Salihajt”, tha Ahmeti.

Por kryetari i kryeqytetit tha se nuk ka pasur ndonjëherë mospajtime me njeriun të cilit ia firmosi shkarkimin.

“Marrëdhënia jonë ka qenë gjithmonë korrekte, arsyeja kryesore sepse kanë kërku ata. Unë kam kërkuar që si pjesë të ndryshimeve me u bo disa ndryshime edhe në koalicion. Kam kërku që drejtorinë e Inspeksionit dhe Arsimit ta merr PSD apo në emërimit e mia direkte që i bëj”, ka thënë Ahmeti.

Brenda procesit të rikonfigurimit të kabinetit të kryetarit të komunës, Brahim mehmetaj i AAK-së ka lënë Drejtorinë e Inspeksionit për të kaluar në Drejtorinë e Pronës; Dren Kukaj është zgjedhur drejtor i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale; Valbona Mehmetaj është zgj3edhur Drejtore e kadastrit ndërsa zëdhënësi i deritanishëm i komunës, Adonis Tahiri, është bërë drejtor i Inspeksionit.

“Në zyrën e mediave do të shtohet numri i zyrtarëve të mediave për shkak të punës dhe kërkesave për qasje në dokumente që na vijnë”, tha Ahmeti.