Shpallet Konkursi për Shefin e Ri të Anti-Korrupsionit

Anëtarët e komisionit për Legjislacion kanë marrë vendim për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Gjatë diskutimit lidhur me mandatin e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, u tha se drejtori duhet të zgjidhet deri në shtator, pasi në shtator i skadon mandati drejtorit aktual, Hasan Pretenit.

Komision do t’ia procedojë këtë vendim Kryesisë së Kuvendit, i cili do ta shpallë konkursin për këtë pozitë i cili do të jetë i hapur 15 dite nga data e publikimit.

Anëtarët e komisionit, janë pajtuar që të respektohen procedurat dhe afatet ligjore për zgjedhjen e drejtorit të këtij institucioni.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se në afat sa më të shpejtë duhet që të procedojnë dhe se kryesia në afat sa më të shkurt ta hap konkursin. Sipas tij edhe në të kaluarën shkaku i “zhagitjes”, së procedurave kanë pasur mungesë të drejtimit të këtij institucioni.

“Besoj që sot duhet të procedojmë dhe kryesia në afatin sa më të përshtatshëm sa më të shkurt në momentin e parë ta shpall konkursin dhe ne të bëjmë përzgjedhjen e drejtorit të ri të Agjencisë Kundër Korrupsion”, tha Zemaj.

Deputeti i PDK-së Agim Aliu, përkundër se u pajtua që konkursi të shpallet më herët dhe në shtator të bëhet vetëm pranim dorëzimi i detyrës, ai propozoi që ose të shkurtohen vitet e mandatit, ose të kufizohet numri i mandateve vetëm me një.

“Ndoshta do të ishte mirë që në kuadër të kësaj të shikohej mundësia që edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion të jetë njëjtë ashtu siç kemi vepruar në rastet e tjera sepse ju e dini që ne kemi ndërhyrë edhe në punë e komisionit. Duhet falënderuar edhe komisionet e tjera që e kanë mirëkuptuar kërkesën tonë që ose të shkurtohet mandati në vite ose të shkurtohet numri mandatit”, tha ai.

Anëtarët e komisionit për legjislacion kanë miratuar në pako edhe amendamentet e Komisionit funksional në Projektligjit për auditorin e përgjithshëm dhe zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.