Shpallet i Pafajshëm i Akuzuari për Keqpërdorim të Besimit
24.4.2015 - 09:06
Nebih Zeqiri nga fshati Muzeqinë i Komunës së Shtimes është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj për akuzat e mashtrimit dhe keqpërdorimit të besimit.
Nebih Zeqiri akuzohej nga Avdullah Avdullahu dhe Sadije Jashanica se në cilësinë e përfaqësuesit të tyre në një kontest civil të kompensimit të dëmit për shkak të aksidentit të komunikacion, i kishte mashtruar dhe nuk u kishte dorëzuar shumën e plotë të pagesës së bërë në emër të dëmshpërblimit.
Zeqiri, për të dy akuzat që e rëndonin është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Avokatja e palës së dëmtuar, Labinota Qosa-Ilazi ka paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi.