Shpallet e hapur zyrtarisht autostrada “Arbën Xhaferi”

Në përurimin e autostradës “Arbën Xhaferi, e cila i kushtoi buxhetit të Kosovës rreth 700 milion euro, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj u ka uruar mirëseardhje të pranishmëve në siç e quajti ai, urën më të gjatë në rajon.

Ai ka deklaruar se që nga sot Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ është e hapur zyrtarisht.

“Kjo autostradë lidhë Kosovën me Maqedoninë dhe me korridore të tjera. Për pesë vite rresht, Bechtel&Enka ishte gjenerues i shumë vendeve të punës. Puna jonë nuk ka përfunduar këtu. Punën tonë do ta përfundojmë me Autostradën më të gjatë në Kosovë që do ta nisim në vjeshtë, Autostradën e Dukagjinit. Ju uroj këtë vepër madhore, qytetarët ta shfrytëzojnë pa aksidente. Gëzuar e gëzofshim së bashku”, ka thënë Lekaj.

Pas pesë muajsh vonesë, sot u përurua Autostrada “Arbën Xhaferi”, e cila i ka kushtuar buxhetit të të vendit rreth 700 milionë euro.

Nën protokollin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të pranishëm në përurim ishin Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli.

Autoudhën “Arbën Xhaferi” në vitin 2014 e filloi ministri Fehmi Mujota i PDK-së, i cili nënshkroi kontratën me “Bechtel & Enka”, e vazhdoi ministri i LDK-së, Lutfi Zharku e po e përfundon sot, ministri nga AAK, Pal Lekaj.

Autostrada e re është e gjatë 65 kilometra, ndërsa ajo ka edhe urën më të gjatë në rajon, me 5 mijë e 700 metra dhe lartësi prej 83 metra.

Kjo rrugë lidhë shtetin e Kosovës me atë të Maqedonisë Veriore.