Shou Politik Vuçiq- Rama Në Mediat Ndërkombëtare

Mediat ndërkombëtare raportojnë se ajo që konsiderohej të ishte vizitë historike në hapjen e një kapitulli të ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë ka përfunduar në një diskutim televiziv rreth pavarësisë së Kosovës.

Marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë qenë të tensionuara për dekada të tëra, kryesisht për shkak të Kosovës. Serbia, konsideron Kosovën si djepin e shtetësisë dhe fesë së saj, dhe asnjëherë nuk e ka pranuar pavarësinë e saj, edhe pse më shumë se 100 vende e kanë njohur atë”, raporton agjencia e lajmeve “The Associated Press” në tekstin e titulluar “Nuk Ka Ulje të tensioneve Për Liderët e Shqipërisë dhe Serbisë”.

“Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm rajonal dhe evropian, dhe kjo duhet të respektohet”, citohet kryeministri shqiptar, Edi Rama, të ketë thënë sot gjatë vizitës së tij në Beograd, ngjarje e cila ka zënë vend edhe në mediat ndërkombëtare.

Mediat e huaja raportojnë se para takimit, Beogradi dhe Tirana kanë shpresuar se mund ta përdorin takimin vetëm për të ecur përpara, pavarësisht nga problemet e shumta që i kanë këto dy shtete.

Mediat e huaja i dhanë theks mbështetjes së Kosovës nga Shqipëria për t’u ndarë nga shteti serb por në mes te këtyre shpjegimeve thuhet se Serbia është deklaruar se nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

Ato kanë raportuar se tensionet në mes shqiptarëve dhe serbëve janë rritur muajin e kaluar duke përmendur dronin i cili fluturoi mbi stadiumin serb.

“Tensionet u ngritën përsëri muajin e kaluar, kur një dron i telekomanduar fluturoi mbi stadiumin e futbollit në Beograd gjatë një ndeshje futbolli kualifikuese midis dy vendeve. Një përleshje shpërtheu kur një nga lojtarët serbë e tërhoqi dronin  poshtë, duke bërë kështu që  lojtarët shqiptarë të ikin në dhomën e tyre të zhveshjes. Ndeshja u desh të braktisej”, raporton AP.

Mediat ndërkombëtare raportojnë gjithashtu se përkundër zotimit që kishin bërë kryeministrat për t’u fokusuar në rrugën e tyre evropiane dhe në qëndrimet e përbashkëta, ata nuk u përmbajtën deri në fund të konferencës.

Ndërsa agjencia e lajmeve AFP raportoi se Vuçiq dhe Rama u përplasën për Kosovën gjatë një vizitë që i rrit ndasitë.

Sipas kësaj agjencie, Vuçiq tregoi hapur zemërimin e tij kur Rama i bvëri thirrje Serbisë që ta njohë “realitetin e pakthyeshëm” të pavarësisë së Kosovës.