Akademia për Shote Galicën | Foto: KALLXO.com

Shote Galica Nderohet në 90 Vjetorin e Vdekjes

Në 90 vjetorin e vdekjes së Shote Galicës Presidenti Hashim Thaçi ka organizuar akademi përkujtimore për nderim të veprës së saj.

Në një fjalë të tij në këtë akademi, Presidenti i vendit ka përmendur shpalljen heroinë të Shote Galicës.

“Sot në këtë akademi i bëjmë nderin më të lartë shtetëror dhe institucional Shote Galicës, heroinë e popullit e shpallur zyrtarisht ne Republikën e Kosovës dhe të Shqiperisë”, tha Thaçi.

Ai tregoi edhe për themelimin e dekoratës me emrin e Shote Galicës.

“Me rastin e 90 vjetorit të vdekjes bazuar në kompetencat ligjore dhe kushtetuese kam themeluar Dekoratën ‘Urdhri i Shote Galicës’ me të cilin do të dekorohen figura të shquara të kombit për sakrificë dhe liri”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi tha se Shote Galica është grua që meriton të gjithë titujt e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Padyshim është personaliteti më i madh si një grua që e ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë mijëravjeçare. Shote Galica i meriton të gjithë titujt që ka Kosova dhe Shqipëria, sepse është titull i madh i qëndresës, e pabarabartë me armikun, shumë superiore në vendosmëri, karakter dhe trimëri”, tha Minxhozi.

Ndërsa historiani Ibrahim Çitaku në këtë akademi përkujtimore tregoi për kontributin historik të Shote Galicës.

“Në këtë përvjetor për herë të parë shteti i Kosovës bën nderimin e merituar, por Shota meriton më shumë se kaq” tha Çitaku.

Pjesë e kësaj akademie përkujtimore ishin edhe deputetë, ministra dhe zyrtarë të tjerë.