‘Shota’ gati për premierën e koreodramës kushtuar Skënderbeut

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” do të ngjitet nesër,  në ora 20:00, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës për të shfaqur premierën e koreodramës “KUMT”, e cila i kushtohet heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në 550 vjetorin e vdekjes.

Shfaqja është realizuar  në kuadër të “Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut”.

Drejtues të AKKV “Shota” dhe stafit realizues të shfaqjes kanë pohuar para gazetarëve gjatë një konference të mbajtur të martën se publiku do të shohë një performancë krejt ndryshe nga ansambli, “një perlë të radhës”.

Drejtori i Ansamblit “Shota”, Shefqet Gjocaj ka pohuar gjatë konferencës se pavarësisht problemeve me të cilat është ballafaquar Ansambli që kur ka nisur punët për shfaqjen – ia ka arritur qëllimit.

“Shfaqja është një format i ri dhe erdhi pas një punë të lodhshme por që e avancon edhe më tej gjithë ansamblin. Shfaqja është një perlë koreografike dhe regjisoriale me të gjitha elementit e plota të një produksion teatror të artit modern pa harruar rrënjët dhe tradita tona”, ka thënë drejtori Gjocaj.

Regjia dhe koreografia e shfaqjes është bërë nga Gjergj Prevazi, muzika nga Valton Beqiri, kostumet nga Vesa Kraja.

Solistë: Besnik Grajçevci Artiola Shala.