Shoqëria civile pezullon pjesëmarrjen në punën e Komisionit Parlamentar për përmirësimin e procesit zgjedhor

Shoqëria civile në Kosovë ka pezulluar pjesëmarrjen në Komisionin Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilin marrin pjesë kryetarët e Grupeve Parlamentare.

Në një njoftim për media, përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në grupin këshillëdhënës derisa nuk plotësohet kushti për projektligjin për financimin e subjekteve politike.

“Ne vlerësojmë, se projektligji aktual është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës. Projektligji degradon parimet kryesore të jetës politike duke rrezikuar integritetin e tërë procesit të reformës zgjedhore, përfshirë edhe cenimin e pavarësisë së Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike. Projektligji aktual dështon në adresimin e prioriteteve të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksionim efikas në financimin e partive politike, duke u mundësuar subjekteve politike të fshehin identitetin e kontribuesve financiarë të tyre, duke ngritur shumëfish lartësitë e këtyre kontributeve, duke ua zgjatur afatet për publikimin e raporteve financiare të fushatës dhe duke i zvogëluar gjobat, në rastet kur partitë e shkelin ligjin”, thuhet në njoftim.

“Meqenëse Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk mund të shihet si pjesë e ndarë e Reformës Zgjedhore, dhe i njëjti rrezikon këtë proces, kërkojmë që projektligji të tërhiqet apo të mos votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, thuhet tutje në komunikatën e OJQ-ve.

“Komisioni Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor është formuar në prill të këtij viti dhe ka si synim kryesor adresimin e rekomandimeve të vëzhguesve të zgjedhjeve nga BE-ja. Në këtë komision përveç përfaqësuesve të subjekteve politike, marrin pjesë edhe organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtar që kanë ndihmuar vazhdimisht institucionet vendore në ndërtimin e kapaciteteve për administrim dhe monitorim të procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Ky aktivitet mbështetet nga 100 organizata të shoqërisë civile, ndërsa Organizatat Anëtare në Grupin Këshillëdhënës të themeluar nga Komisioni Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor:

Demokracia në Veprim/ Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Demokraci për Zhvillim (D4D)
Demokraci Plus (D+)
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar