Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Shoqëria Civile: Mbi 20 milionë euro të buxhetit harxhohen vetëm për këshilltarë të projektit ‘Kosova e Re’

Organizatat, Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të kampanjës, #mosthujsekamdite, kanë bërë të ditur shumën e mjeteve të cilat janë harxhuar  për këshilltarë të  projektit ‘Kosova e Re’.

“Këtë muaj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka shpallur tender me vlerë referenciale prej 4 milionë euro për blerjen e shërbimeve të konsulencës për projektin e “Kosova e Re”.[1] Me këtë tender, shpenzimet për këshilltarë të projektit “Kosova e Re” do të arrijnë mbi 20 milionë euro”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre kjo o nuk është hera e parë që buxheti i Kosovës shpenzohet për pozita të tilla, sipas tyre në periudhën 2006-2011, janë harxhuar 4 milion euro të buxhetit të Kosovës për pozita të tilla.

“Në vitin 2006, Banka Botërore për herë të parë ka angazhuar këshilltarë të transaksionit, ku deri më 2011 u shpenzuan 16,4 milionë dollarë (12 milionë euro, sipas mesatares së këmbimit të valutës për periudhën 2006-2011), prej të cilave 5,5 milionë dollarë (4 milionë euro) janë mbuluar nga Buxheti i Kosovës”, thuhet tutje në aty.

Përveç kësaj, këto organizata të shoqërisë civile kanë përmendur edhe shpenzime të tjera të tjera të qeverisë për këtë projekt.

“Në vitin 2011, Qeveria e Kosovës mori përsipër që të angazhoj kompani konsullente për projektin ‘Kosova e Re’, ku u shpenzuan edhe 3.9 milionë euro.[3] Nga viti 2012 deri 2015, përmes disa kontratave për shërbime, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka angazhuar tre menaxherë të ndryshëm të projektit së bashku me staf mbështetës për një vlerë të përafërt prej 200 mijë euro”, thuhet ndër të tjera.

Sipas tyre individë të cilët janë angazhuar nga Qeveria e Kosovës për të menaxhuar projektin ‘Kosova e Re’, tani shërbejnë si punonjës të investitorit privat (ContourGlobal) të përzgjedhur për të investuar në këtë projekt.

Shoqëria civile në këtë komunikatë i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta anulojë tenderin dhe të tërhiqet menjëherë nga kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

“Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ditë më parë, bënë thirrje që të anulohet tenderi prej 4 milionë eurosh për shërbimet e konsullencës për projektin ‘Kosova e Re’.[4] Gjithashtu, organizatat e lartëshënuara të shoqërisë civile, kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të Kosovës nga kontrata për ndërtimin e këtij termocentrali ngase kjo kontratë vendosë një barrë të padurueshme mbi buxhetin e shtetit”, theksohet në komunikatë.

Shoqëria civile në Kosovë vazhdimisht është duke e kundërshtuar ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’, sipas tyre një termocentral i ri me qymyr në Kosovë do të thotë edhe më shumë ndotje të ambienti si dhe rritje të çmimeve të energjisë elektrike.