Shoqëria Civile: Ligji të Mos Njohë Gjini

Projektligji për Trashëgimi, ai për Procedurë Jokontestimore dhe ai për Noteri, ishin projektligjet në të cilat u propozua të bëhen ndryshime duke synuar që të sigurohet shprehja e lirë e vullnetit të grave në rastet ku ato janë palë në procedurat trashëgimore.

Në praninë e kryetares së Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu dhe kryesuesit të grupit punues për Projektligjin për Noterinë, Armend Zemaj, nikoqiri, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Trajnime dhe Burime për Avokim (ATRC), Kushtrim Kaloshi, hapi konferencën.

Kaloshi tha se ligjet nuk duhet të njohin gjini dhe se duhet të vlejnë për të gjithë njësoj.

“Respektimi ligjit do të thotë respektim i procedurave dhe lehtësimi i procedurave është lehtësim i femrave për bartjen e trashëgimisë. Ligji nuk dallon në trashëgim femrën dhe mashkullin”, tha Kaloshi.

Ndonëse vlerësoi punën e shoqërisë civile në dhënien e rekomandimeve lidhur me këto projektligje, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ishte kritik ndaj organit ligjvënës.

Pas fjalëve hyrëse ishte radha e rekomandimeve të shoqërisë civile që u prezantuan nga Labinot Leposhtica nga BIRN dhe Fitim Sadiku nga OJQ “POLIS”.

Leposhtica tha se projektligjet e iniciuara nga Ministria e Drejtësisë ndonëse kanë sjellë ndryshime pozitive, ato kanë lënë shumë çështje të kësaj natyre pa trajtuar.

Si shembull për këtë Leposhtica përmendi çështjen e Ligjit të Trashëgimisë që privon nga e drejta e trashëgimit bashkëshortët pasjetues të trashëgimtarëve që kanë vdekur para trashëgimlënësit.

“Kjo dispozitë e tillë siç është normuar nuk eviton që në të ardhmen të mos kemi raste të ngjashme si ai i Shyhrete Berishës, rasti i të cilës është bërë sinonim i vështirësive që has një grua që kërkon të realizojë të drejtën e saj në pronë”, tha Leposhtica.

Propozime të shumta lidhur me ndryshimet që duhet të pësojnë projektligjet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë pati edhe Fitim Sadiku nga organizata “POLIS”.

“Ne kemi propozuar që rastet kur një palë e cila është rast social asaj pale t’i pamundësohet që të heqë dorë nga trashëgimia sepse do t’i bëhej barrë shtetit”, tha Sadiku, i cili prezantoi edhe disa rekomandime të tjera.

Pasi dëgjuan dhe mbështetën rekomandimet e dhëna, kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se grupet punuese duhet të nguten me procedimin e këtyre projektligjeve sepse ekziston mundësia e zgjedhjeve dhe kjo do t’i kthente në pikën zero këto projektligje ashtu siç parashihet me rregulloren e punës të Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu në fjalën e saj ishte kritike ndaj mungesës së përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë dhe tha se mungesa e tyre tregon mosinteresim dhe papërgjegjësi të tyre lidhur me këto projektligje shumë të rëndësishme.

Sikur Haxhiu edhe kryesuesi i grupit punues të Projektligjit për Noterinë, Armend Zemaj, tha se mbështet propozimet e dhëna nga shoqëria civile dhe gjithashtu ftoi të gjitha organizatat e tjera që të japin rekomandimet e tyre dhe të kontribuojnë me pjesëmarrje në grupet punuese të Komisionit për Legjislacion.

Konferenca e organizuar nga ATRC ishte vetëm një nga aktivitetet e shoqërisë civile të organizuara me qëllim të avokimit për të drejtat pronësore të grave në Kosovë.

Në kuadër të këtij partneriteti edhe BIRN si një nga partnerët e ATRC-së në vazhdimësi ka raportuar përmes KALLXO.com lidhur me rastet e grave që kërkojnë pronën e tyre e gjithashtu edhe emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka trajtuar në disa emisione këtë problematikë.

Në fillim të këtij viti BIRN ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës – Komisionit për Legjislacion rekomandimet e tyre lidhur me projektligjet që janë duke u proceduar në Kuvendin e Kosovës dhe gjithashtu po japin kontributin e tyre duke marrë pjesë aktive në grupet punuese dhe dëgjimet publike lidhur me këto projektligje.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me çështjen e të drejtave të grave në trashëgimi mund t’i gjeni në këtë link.