Shoqata 'Jetimat e Ballkanit' fillon ndërtimin e Shtëpisë së të Moshuarve në Suharekë

Kanë filluar punimet në nderimin e Shtëpisë së të Moshuarve në fshatin Gjinoc të Suharekës.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një publimi në Facebook, udhëheqësi i shoqatës Jetimat e Ballkanit, Halil Kastrati.

Kastrati thotë se ideja e ndërtimit të kësaj shtëpie ka ardhur pas takimeve të shumta që kanë pasur me qytetarë të moshuar pa përkujdesje.

“Gjate aksioneve tona kemi gjetur shume te moshuar qe nuk kishin fëmije apo kanë pasur femijë dhe janë sprovuar me vdekjen e tyre, kemi gjetur te moshuar dhe te vetmuar sepse i kemi gjetur te braktisur nga të gjithë. Andaj gjate kësaj periudhe 10 vjeçare te punës sonë kemi punuar shumë për ta realizuar këtë projekt”, ka shkruar Kastrati.

Ai ka falënderuar Komunën e Suharekës për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale në fshatin Gjinoc.

Kastrai ka njoftuar se me 31 Maj shoqata Jetimat e Ballkanit së bashku me Komunën e Suharekës do të shtrojnë një iftar në vendin ku do të ndërtohet kjo shtëpi.

Gjithashtu Kastrati ka treguar se nesër do të bëhet publike edhe video e këtij projekti si dhe hapet zyrtarisht edhe grumbullimi i donacioneve për këtë projekt.