Ilustrim- Pallati i Rinisë - Foto: KALLXO.com (28 janar 2018)

Shllaku Tregon Pesë Gabimet që po Thuhen Rreth Ndotjes së Ajrit

Eksperti për çështje të mjedisit, Luan Shllaku, përmes një statusi në “Facebook” ka dhënë sqarime në lidhje me ndotjen e ajrit në Prishtinë.

Ai e ka vlerësuar faktin që qytetarët e Kosovës e kanë bërë temë diskutimi çështjen e ndotjes së ajrit, mirëpo sipas tij ka shumë paqartësi dhe gabime kur po diskutohet për këtë dukuri.

Ai ka renditur 5 gabime që po bëhen ditëve të fundit nga ata që po flasin për këtë çështje, përfshi edhe ministren, gazetarët si dhe ekspertët e mjedisit.

“Është plotësisht e gabuar të mendohet (dhe veprohet) në drejtim të zëvendësimit të qymyrit që e djegim ne amvisni me dru. Tashmë ju kam sjellë dëshmi se druri është ndotës shume më i madh se qymyri”, ka shkruar Shllaku në “Facebook”.

Reagimi i Shllakut vjen pas ngritjes së shqetësimeve nga qytetarët e aktivistët rreth ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë.

Përveç KEK-ut për ndotjen e ajrit fajësohen edhe automjetet e shumta në trafik si dhe djegia e qymyrit nga amvisëritë dhe institucionet e ndryshme për ngrohje.

Për të luftuar ndotjen e ajrit, KALLXO.com fton qytetarët të raportojnë të gjitha rastet e ndotjes nga djegia e qymyrit.

Për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit në kryeqytet, në Fushë-Kosovë dhe Obiliq, institucionet kanë nisur të marrin më me seriozitet këtë problem.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, paralajmëroi një seancë parlamentare ku do të trajtohet pikërisht kjo situatë.

Më poshtë mund ta shihni shkrimin e plotë të Luan Shllakut:

Me ne fund qytetaria e përbashkuar Kosovare ia doli ta sjell ne spikame një çështje shume te rëndësishme per vendin: cilësia e ajrit ne Prishtine. E shoh se gjithkush prononcohet për këtë problem, dhe se ai vazhdon te mbahet ne vendin e pare (apo afër te parit) ne top-listën (diskursin) politike!

Ama, e shoh se ka shume paqartësi dhe gabime kur flitet per kete dukuri. Pese gabime me te shpeshta qe i bëjnë – nga Ministrja deri te gazetaret dhe “ekspertet e mjedisit” këto dite, janë:

  1. Flitet për shkaktaret e mundshëm te këtyre episodeve duke e relativizuar rolin e secilit nga ta: adresohen termocentralet sikur te ishin kontribuues te barabartë me trafikun dhe nxehjen ne amvisni, gjë qe e sjell një fotografi plotësisht te shtrembëruar te realitetit. Ta dini se vetëm ne një dite te vetme termocentralet djegin qymyr aq sa djeg e tere Prishtina gjate një sezoni dimëror! Tymi nga auspuhet e makinave dhe oxhaqet e shtëpive vështirë mund te arrije deri te stacioni matës qe është i vendosur shume me lartë, ne Dragodan. Bëreni një prove: shiheni koncentrimin e grimcave ne aps-in tuaj AirVisual atëherë kur era qe frynë nga TC-te shkon ne drejtim te kundërt me Prishtinën. Koncentrimi do te jete shume me i vogël. E kam bere këtë prove – ashtu me doli! 
  1. Është plotësisht e gabuar te mendohet (dhe veprohet) ne drejtim te zëvendësimit te qymyrit qe e djegim ne amvisni me dru. Tashme ju kam sjelle dëshmi se druri është ndotës shume me i madh se qymyri (shiheni një status timin te para një muaji ku i sjelli disa argumente). 
  1. Roli i trafikut është shume i rëndësishëm, aq me shume kur dimë se kemi ndërmarr shume hapa te gabuar ne këtë drejtim, si importi i makinave te vjetra dhe mos aplikimi i standardeve europiane qe e kufizojnë shkarkimin e gazrave. Por, ne episodet ndotëse si kjo, do te ishte kot ta ndalonim qarkullimin ne ndonjë rruge te caktuar kur termocentralet vazhdojnë te punojnë te pa-penguara! Nuk do te vërenim ndonjë efekt te rëndësishëm ne matjet qe bëhen ne Dragodan, aq me shume kur dimë se ky matës është shume mbi nivelin e gypit shkarkues te makinave. Ne situata klimatologjike si kjo qe kemi këto dite, nuk ka fare përzierje te ajrit, sepse nuk ka fare rrymim te tij! 
  1. Qershia mbi torte – aq shume e përsëritur nga ata qe e kane tere mandatin e botes për te na shpëtuar nga kjo situate – është qe me ndërtimin e termocentralit te ri Kosova e re, situata mjedisore do te përmirësohet!!! Thuajse po ndërtojmë filtra e jo tymtarë! A mund ta imagjinoni situatën kur ne e shtojmë një fabrike ndotëse te re, qe emiton gazra dhe grimca helmuese (kjo e dyta shume me pak), dhe me këtë pune situata e përgjithshme përmirësohet dukshëm! Unë e di se zbuluesit e kësaj teorie fatale, e mendojnë situatën qe ndërlidhet me ndaljen e Kosoves A pasi te lëshohet ne pune Kosova e re, por pse duhet një situate hipotetike, kur lirohemi me ne fund nga nje ndotës ta sjell ndotësin tjetër për ta zëvendësuar! Cfare logjike! 
  1. Askush nuk e bene ndërlidhjen e problemit aktual me kushtet meteorologjike qe dominojnë ne dimër, te cilat janë shkaktari numër një i paraqitjes se episodeve ekstreme si kjo e këtyre ditëve. Nëse do ta kuptonim me mire këtë ndërlidhje atëherë do te përgatiteshim shume me pare për këto situata; ngjashëm me planet qe i bëjmë gjate verës për pastrimin e bores nga rrugët. Pse mos te planifikojmë qe ta kemi Kosoven A ose B te ndalur gjate dy muajve problematik dimëror, duke siguruar energji ne ato muaj nga importi? 

Kam frike nga masat qe dalin nga mos-njohja e “patologjisë” se këtij problemi. Me këmbëngulje përsëriten këto keq-kuptime, për te mos i quajte ndryshe, te cilat sjellin masa te gabuara, siç ishte ajo komedia me zbrazjen e një krahë dru (te konfiskuara) ne oborr te një qerdheje, për ta zëvendësuar qymyrin! O tempora o mores!