Foto: Kallxo.com

Zyrtarja e BE-së, Haradinajt: Demarkacioni Është Çështja Kryesore

Një zyrtare e lartë e Bashkimit Europian e cila po qëndron për vizitë në Kosovë, ia rikujtoi kryeministrit Ramush Haradinaj të enjten se përfundimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi mbetet kushti kryesor i Brukselit për liberalizim të vizave për kosovarët.

Helga Shmidt, Sekretare e Përgjithshme të Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm, pas takimit me Haradinaj, tha se dera e BE-së mbetet e hapur për Kosovën, dhe rajonin, atëherë kur vendet aspirantë t’i përmbushin kriteret e kërkuara.

“Ne e dimë se sa te rëndësishme është liberalizimi i vizave për popullin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse është esenciale që autoritetet të tregojnë rezultate në kriteret e mbetura për liberalizim të vizave në veçanti duke ecur përpara në marrëveshjen për demarkacionin e kufirit. Kjo është absolutisht çështja kryesore. Natyrisht edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vazhdojë”, tha Shmidt në një deklaratë për gazetarët pas takimit me Haradinajn.

“Duke e treguar këtë, ju jeni në gjendje të ofroni zgjidhje për fqinjësi të mirë dhe do të hapni derën për investime në mënyrë që ta ndihmoni ekonominë e Kosovës të zhvillohet”, shtoi ajo.

Shmidt tha se Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini ka qenë “shumë e qartë” në ambicien e saj që ta shohë Kosovën, por edhe tërë rajonin, në hapa të pakthyeshëm në rrugën europiane deri në fund të mandatit të saj ndërsa citoi një deklaratë të Presidentit të Këshillit Europian Jean Claude Juncker të bërë muajin e kaluar se do t’i japë “mbështetje të pakursyer” perspektivës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

“Dera e BE-së është e hapur për Ballkanin Perëndimor kur të përmbushen kriteret e kërkuara”, tha ajo.

Ndërsa kryeministri Haradinaj në deklaratën e vet nuk e përmendi demarkacionin, por u ndal vetëm te luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar si kritere të Brukselit.

Sipas Haradinajt, dinamika e Kosovës me BE-në “po intensifikohet”.

“Takimi sotëm vërteton rëndësinë e kësaj dinamike por edhe është shtyrje për një punë me intensive në zbatimin e agjendës europiane për Kosovën që fokusohet në reformat e përgjithshme, forcimin e rendit dhe ligjit, që ka në fokus luftën kundër korrupsionit e krimit në vend, njëkohësisht reformën ekonomike që e kemi si detyrë të përbashkët”, tha ai.

Haradinaj i tha mysafires nga Brukseli se “Kosova është e vendosur në rrugën e vet drejt integrimeve europiane dhe do të jetë serioze në implementimin e detyrave që na dalin”.