Njomza Ibishi- Zogaj

Zyrtarja e Ministrisë së Punës e padit shefin e saj

Ministria që është e thirrur t’i mbrojë të drejtat e punëtorëve e që merret në përgjithësi me mirëqenien e tyre, po akuzohet nga një zyrtare e po kësaj ministrie për trajtim të padrejtë.

Njomza Ibishi- Zogaj, zyrtare për informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ngritur padi ndaj shefit të zyrës për komunikim publik në këtë institucion, Musa Demiri.

 

Arsyeja e padisë së Ibishit- Zogajt lidhet me vlerësimin e punës së punëtorëve të ministrisë, që zakonisht bëhen në fund të vitit.

“Padrejtësia ime është për vlerësimin e punës për vitin 2017 edhe kam vendosur të ankohem. Kam marrë ngjyrim pozitiv se kam pasur të drejtë, faktet kanë folur në drejtimin tim. E kemi një komision për ankesa dhe parashtresa në ministri. Tash kur po flasim kemi 9 muaj pas vendimit të komisionit dhe nuk është marrë asnjë veprim nga ana e drejtorit, Musa Demiri”, tha Ibishi- Zogaj për KALLXO.com

Ajo thotë se meqë tashmë kanë kaluar mbi 9 muaj pas vendimit të Komisionit të brendshëm për ankesa, ka vendosur të ushtrojë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas Ibishit- Zogajt, nëse në ministri nuk ishte injoruar vendimi i komisionit, nuk do të kishte pasur nevojë për ngritjen e padisë.

“Dy herë e kam pyet gjatë këtyre 9 muajve sepse kam mendu që së paku do të reflektojnë ndaj vendimeve që i ka nxjerrë vet komisioni, sepse nëse nisim me vendos krye në veti, nuk është më institucion ai”, tha Ibishi- Zogaj për KALLXO.com

KALLXO.com i ka shkruar edhe Zyrës për Informim të kësaj ministrie për të pyetur në lidhje me pretendimet e zyrtares së saj se i është bërë e padrejtë.

Sipas tyre, Komisioni i ankesave e ka kthyer çështjen në rivlerësim vetëm për çështje procedurale, e jo për diçka tjetër.

Të pyetur se pse nuk është bërë rivlerësimi, siç ka kërkuar Komisioni i brendshëm i ankesave, nga Zyra për Informim deklarojnë se ata i qëndrojnë mbrapa vlerësimit që ia ka dhënë zyrtares.

“Nuk është bërë rivlerësimi, pasi që Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave nuk ka cekur ndonjë afat kohor brenda të cilit duhet të bëhet rivlerësimi dhe pasi që mbikëqyrësi i drejtpërdrejt qëndron në vlerësimin e punës ndaj zyrtares”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim Publik të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Nga Ministria kanë deklaruar se nuk janë në dijeni që ndaj shefit të zyrës për komunikim publik është ngritur padi nga zyrtarja në fjalë.