Sadri Ramabaja - Foto: Facebook

Zyrtari i Vetëvendosjes, i Dyshuar për Përgatitje të Veprave Terroriste

Prokurori i Shtetit, Sylë Hoxha, e ka konfirmuar për KALLXO.com se zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, është ftuar për intervistim në prokurori si i dyshuar për përgatitje të veprave terroriste.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe vetë Ramabaja.

Ai tha se nuk ka asgjë për t’i shtuar asaj që e ka postuar në profilin e tij në “Facebook”.

Në rrjetin social, Sadri Ramabaja tregon se më 25 shtator ka marrë ftesë për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale të Kosovës në cilësinë e të pandehurit dhe të dyshuarit për kryerjeve e dy veprave penale: Vrasje të përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës dhe Përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Në të njëjtin postim, Ramabaja thekson se ftesa për t’u paraqitur në prokurori e ka kthyer plot 37 vjet prapa, kur ishte arrestuar nga UDB-ja në Gjilan.

Sipas thirrjes së Prokurorisë, të cilën e ka bërë publike vetë ai, Ramabaja duhet të paraqitet për intervistë më 9 tetor.

Sipas Ramabajës, deri më tani, nga Prokuroria Speciale për këtë motiv janë marrë në pyetje si të dyshuar: Xhevat Bislimi (kryetar i Shoqërisë LËVIZJA), Gafurr Elshani (avokat), Emrush Xhemaili (është thirrë permes telefonit, e natyrisht nuk i është përgjegjur thirrjes dhe pritet arrestimi I tij).

“Në këtë listë, si të dyshuar janë potencuar emrat e: Muhamet Kelmendit (profesor univerasitar, ish nënkryetari i LPK) dhe Ibrahim Kelmendi (njëri nga tre themeluesit e LPK-së – i vetmi i mbetur gjallë e në jetë, ish anëtar i Kryesisë së fundit të LPK,)”, ka shtuar Ramabaja.

Për të njëjtat vepra të dyshuara muaj më parë është arrestuar edhe një zyrtar tjetër i LPK-së, parti të cilës i ka takuar edhe Sadri Ramabaja.

Murat Jashari ishte arrestuar pas atentatit ndaj avokatit dhe ish-zyrtarit të lartë komunist, Azem Vllasit.

Vllasi kishte mbetur i plagosur me armë zjarri në sulmin që ishte kryer në banesën e tij në Prishtinë.

http://kallxo.com/qkuk-azem-vllasi-eshte-plagosur-ne-krah/