Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan - Foto: REL/AP

Zyrtari i MPJ-së Tregon Hapat që do të Ndërmerren Pas Deklaratave Kërcënuese të Erdoganit

Shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, ka treguar se çka do të bëjë MPJ pas deklaratave kërcënuese të presidentit Turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Turqia është vend mik i Kosovës, vend që e ka mbështetur dhe e mbështet Kosovën në vazhdimësi. Nëpërmjet kanaleve diplomatike në ditët në vijim do të sqarojmë arsyet e deklaratave të bëra nga presidenti Erdogan, në pajtim me marrëdheniet e mira që kemi si dy shtete dhe të parimeve të barazisë së shteteve sovrane dhe mos-përzierjes në punët e brendshme”, ka shkruar Zyberaj në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka shkruar edhe se janë të përkushtuar që të kultivojnë ‘marrëdhëniet ndërshtetërore me të gjithë partnerët ndërkombëtare dhe me Turqinë mike’.

“Dihet fare mire se Kosova është e hapur për bashkëpunim dhe dialog me Turqinë në secilën fushë, pa pasur nevojë për interferim në punët e brendshme. Kosova ka institucionet e veta dhe ato udhëhiqen me pergjegjesi dhe respekt nga udhëheqësit e zgjedhur me votën e popullit”, ka shkruar në fund Zyberaj.

Erdogan ditë më parë ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj llogari për lirimet nga detyra të drejtorit të AKI-së Driton Gashit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, pas arrestimit dhe deportimit të 6 shtetasve turq drejt Turqisë.

Ai gjithashtu ka thënë edhe se vetë Haradinaj do të jap përgjegjësi.

http://kallxo.com/erdogan-i-kerkon-llogari-haradinajt-per-lirimet-nga-detyra/